E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vit pas premtimit se duhet “hequr qafe” FMN-ja

03/12/2004  “Ne duhet të punojmë seriozisht me FMN-në për ta hequr qafe atë”. Këtë obligim, Kryeministri i vendit, Fatos Nano, e mori në korrik të një viti më parë. Në krah të tij ishte njeriu më i ashpër me FMN-në, Steve Forbes. Forbes do të lavdëronte qeveritë shqiptare dhe vetë shqiptarët si një popull që i ka bërë ballë për 12 vite presionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këshilla e ish-kandidatit për president të SHBA-ve ishte e qartë. ”Largoni sa më shpejt FMN-në. Mos i dëgjoni këshillat e saj”. Kjo ide, në korrikun e nxehtë të një viti më parë, u përkrah hapur nga shumica e ekonomistëve dhe nga vetë kreu i qeverisë, ai që firmos në fund politikat monetare fiskale të vendit.

Një vit më vonë, Olters, përfaqësuesi i FMN-së në Tiranë, pasi viziton Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, duket se kthen prapa të gjitha vendimet e deritanishme. Pas takimit, Ylli Bufi, i ka vënë në dyshim të gjitha marrëveshjet me biznesin shqiptar dhe me atë amerikan. Ministri i Financave, u mundua të justifikonte taksat e larta për vitin 2005 me këshillat dhe konsultimet me ndërkombëtarët. Kuptohet që institucioni i parë ndërkombëtar që mund të diskutohen taksat është FMN-ja. Malaj i akuzoi si mendjemëdhenj biznesmenët shqiptarë, që kërkuan dhe u imponuan për uljen e taksave. Megjithatë, diskutimeve po i vjen fundi dhe FMN dje “këshilloi” që TVSH-ja për ndërtimet të fillojë në 2006-ën, (një vit më parë se sa kërkuan ndërtuesit), që të vendoset TVSH për biznesin e vogël, (ndryshe nga çfarë kërkoi dhoma e tregtisë shqiptare), që të vendoset tatimi mbi dividentin, ndryshe nga çfarë kërkoi biznesi amerikan në Shqëpëri. Pra, FMN-ja kërkoi të rriten ndjeshëm çmimet. Me 20 për qind ato të ndërtimeve, me 20 për qind ato të konsumit dhe shërbimeve që ofrohen nga biznesi i vogël. FMN-ja kërkoi dje që të shtrenjtësohet jetesa për shqiptarët.

Ndoshta FMN-ja ka të drejtë të kërkojë rritje taksash. Buxhetit shqiptar i duhen më shumë të ardhura dhe rritja e taksave do të thotë më shumë para për arkën e shtetit. Megjithëse gjysma e ekonomisë është informale dhe taksat e reja i paguajnë vetëm 50 për qind e bizneseve. Këto të fundit duhet të përballojnë gjysmën tjetër që punon pa u deklaruar. Të gjitha këto mund të jenë të drejta. Por pas 14 viteve ekonomi tregu, nuk ka ardhur momenti që këto t’i vendosim vetë. Nuk ka ardhur momenti që Komisioni i Ekonomisë të vendosë vetë pas diskutimeve me biznesin se cila nga taksat do të aplikohet këtë vit dhe cila jo. Apo duhet akoma këshilla e FMN-së apo më saktë përdorja e saj nga qeveria, si obliguesja e vendosjes së taksave të reja. Nano, korrikun e vjetshëm, tha se kish ardhur koha për ta përzënë FMN-në. Ai premtoi se do të punonte për të arritur këtë gjë. Këtë premtim, Nano e bëri në korrik në Vlorë, në vitin 2003, gjashtë vjet pasi qeveria e tij kishte dëgjuar FMN-në duke rritur TVSH-në nga 12 në 20 për qind. Por duket se premtimet e Vlorës, aq më tepër në korrik, avullojnë shpejt. Dhe pas një viti, biznesi shqiptar duhet të dëgjojë sërish “këshillat e FMN-së” dhe shqiptarët duhet të paguajnë më shtrenjtë jetesën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›