E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS-ja të riaktivizojë mocionin për Topallin

Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet idenë e një mocioni shkarkimi ndaj kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Thirrjes së kreut të PDK-së, Nard Ndoka, për një mocion kundrejt kryeparlamentares, kryetari i LSI-së i është përgjigjur pozitivisht, po sërish ka adresuar kritika ndaj PS-së, e cila duhet të riaktivizojë këtë nismë. “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është kaq e vonuar për këto iniciativa, por përkundrazi, ne prej disa muajsh jemi shprehur të gatshëm se në rast se grupi i PS-së do të riaktivizonte mocionin ndaj znj. Topalli, sikurse u bë e ditur muaj më parë, ne do e mbështesnim”, - tha Meta, duke shtuar se “kjo gjë nuk ka ndodhur, por ne në çdo moment kur mund të ndodhë, shprehemi të gatshëm që do e mbështesim, sepse mendojmë se ka mjaft probleme serioze në funksionimin e Parlamentit dhe që kanë të bëjnë me shkeljen e parlamentarizmit dhe gjithë procedurave demokratike”. Sipas Metës, duhet që jo vetëm kryetarja e Kuvendit të largohet nga pozicioni i saj, por edhe Kryeministrit Berisha. “Disa herë Kryeministri Berisha ka dhunuar Parlamentin si institucion dhe kryetarja jo vetëm që nuk ka mbajtur qëndrim ndaj tij, por e ka favorizuar këtë sjellje arrogante dhe përçmuese të tij ndaj Parlamentit. Ndaj jemi të bindur që z. Berisha, jo vetëm duhet të largohet tani, por duhet të ishte larguar me kohë, ndaj ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo iniciativë që synon largimin e tij, por kuptohet që pas 21 prillit kjo është shumë e vështirë”, - nënvizoi ndër të tjera kreu i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›