Galanxhi e Koçi, ambasadorët e rinj në SHBA e OSBE
Komisioni i Jashtëm zhvilloi dje seancën dëgjimore me dy ambasadorët e rinj të Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të OSBE-së me qëndrim në Austri. Kështu, Gilbert Galanxhi pritet të jetë Ambasadori i ri i Shqiqërisë në SHBA, ndërsa vendin e tij të mëparshëm si përfaqësues i vendit tonë pranë selisë së OSBE-se në Vjenë do ta zerë Spiro Koçi. Kandidatura e Koçit vjen për herë të dytë, pasi ai ishte zgjedhur fillimisht si Ambasador për në SHBA, por më pas emri i tij u rrëzua për të shkuar më pas si Ambasador i OSBE-së. Ambasadori tjetër, Galanxhi pritet të zëvendësojë Aleksandër Sallabanden, Ambasadorin e Shqipërisë në SHBA. Ai përpara deputetëve shpalli prioritet e punës së tij. Madje ai shtoi se do të ngrejë edhe çështjen e vizave të qytetarëve shqiptarë që shkojnë drejt Amerikës. Sipas Galanxhës, shteti shqiptar ka pasur një marrëveshje me SHBA-të, në kohën e Mbretërisë së Ahmet Zogut, ku lejonte udhëtimet pa vizë të shqiptarëve. Ambasadori i ri tha se do të kërkojnë që kjo marrëveshje të rikthehet. Gjatë fjalës së tij para Komisionit të Jashtëm, kandidati Galanxhi u angazhua për një aksion diplomatik akoma edhe më të ngjeshur në përfaqësimin me dinjitet të vendit tonë në Uashington, ndërsa kujtoi se përveç marrëdhënieve diplomatike ndërshtetërore, në kryeqytetin amerikan ndodhen edhe disa nga përfaqësitë më të rëndësishme ekonomike botërore. Ai u angazhua edhe për një aksion të veçantë diplomatik në favor të rritjes së numrit të njohjeve për shtetin e ri të Kosovës. Kandidati Koçi foli për rëndësinë e aktivitet diplomatik në Vjenë, duke shtuar se atje është edhe përqendrimi i vendimmarrjes kryesore të kësaj organizate të rëndësishme që ka një aktivitet të konsiderueshëm edhe në Shqipëri, OSBE-ja.