Trupi i copëtuar i Sazan Hadërit, dy ditë në oborrin e burgut
AFRIM IMAJ
Pesë minuta para se ta pushkatonin, Sazan Hadëri, i dënuari që tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit natën e 2 gushtit ‘67, u ul në një qosh të dhomës dhe i shkroi të bijës. “Po shkoj drejt vdekjes me vullnetin tim. Po shpëtova, do shpëtosh edhe ti”. Në numrin e kaluar botuam të plotë tekstin e letrës së fundit të Sazan Hadërit, bashkë me rrëfimin e Alma Hadërit, vajzës së tij. Ajo, e mësuar nga jeta t’i fshehë brenda vetes emocionet e trishta, shfaqet e qetë para të tjerëve. Megjithatë, kur bie fjala për të atin, vlaga e kujtimeve e nxjerr disi nga vetja dhe humbet në rrjedhën e tyre. I vjen para syve gjyshja, që e tërhiqte përdore për diku larg, mbas maleve, por me gjithë atë lodhje sfilitëse, nuk e kuptonte përse, ngaqë nuk takonin askënd. “Nuk e dija, - shprehet Alma, - se pas atyre shkrepave na priste babai”. Sakaq, vajza e të dënuarit të martirizuar natën e 2 gushtit mban mend se edhe emrin ia ka mësuar vonë, në ditën e parë të shkollës. Ditë pas dite pastaj nuk ka reshtur së kërkuari historinë e babait, deri sa ka prekur të vërtetat tronditëse. Vdekja jo e zakontë e të atit i ka kushtuar jo pak. Ajo kujton se fillimisht e privuan nga e drejta për të mbajtur shallin e pionierit, pastaj teserën e anëtarësisë së organizatës së rinisë dhe në fund nga e drejta për studime universitare. Një jetë të tërë me privacione ka kaluar 45-vjeçarja Hadëri, megjithatë nuk e ka fshehur kurrë krenarinë për të atin...
Aman vajzën! I përgjërohej babai gjyshes kur i shkonte për takim në burg dhe i lutej t’ia çonte veç një herë. E mira nënë më çoi dy herë aty. Një herë në Laç, e një herë në Burrel. Në të dyja rastet nuk na lejuan ta takojmë. Arsyeja, me sa kam mësuar më vonë, lidhej me natyrën rebele të babait me punonjësit e shërbimit. Me sa duket, e dinin pikën e dobët të tij dhe aty hakmerreshin barbarisht. Iku i gjori, iku me një peng të madh. Sa herë e qante gjyshja me ligje, kuptohet fshehtas, se armiqtë ishin të ndaluar t’i vajtoje, ia thoshte dhe këtë fakt...
Kur e ke mësuar se babai ishte vrarë në burg gjatë tentativës për t’u arratisur?
Kam qenë e rritur kur mësova rrethanat si ishte vrarë babai. Asokohe flisnim gati ilegalisht për këtë ngjarje në shtëpi.
Vetëm pas viteve ‘90 kemi mundur ta mësojmë të plotë ndodhinë e asaj nate tragjike gushti. Të parët që takova nga bashkëvuajtësit e babait më thanë të kërkoja se kishte lënë një testament për mua. “Ka lënë një letër, - më tha miku i tij, Naim Pashai. - Ai të kishte pikë të dobët, por kërkoje se do ta gjesh”. Dhe kërkova e kërkova për ditë e muaj me radhë. E gjeta. Nuk kishte lumturi më të madhe kur mora në dorë amanetin e babait, të shkruar vetëm pesë minuta para se të vritej.
Në çfarë rrethanash e kishte shkruar letrën Sazani?
Para se të fillonte kontrolli i mbrëmjes, më saktë, pesë minuta para kacafytjes me punonjësit e shërbimit, ishte ulur në qoshe të dhomës dhe shpejt e shpejt kishte shkruar testamentin e fundit. Pastaj e kishte palosur me kujdes dhe ia kishte dhënë Xhelal Cufës, shokut të qelisë. Amanet për ty dhe time bijë, i kishte thënë dhe sakaq ishte hedhur mbi gardianët. Pesë minuta më vonë u vra duke kapërcyer rrethimin...
E keni takuar Xhelal Cufën, njeriun që babai i besoi testamentin për ju?
E kam kërkuar prej vitesh. Doja të mësoja çfarë i kishte thënë në ato çaste kur i besoi amanetin e fundit. Mora vesh se ishte nga Shkodra dhe shkova aty. Trokita tek të njohur e miq të tij. Më thanë se ishte transferuar në Durrës. E kërkova edhe atje. Gjeta adresën e tij. U gëzova pa masë, po vetëm për një çast. Për fat të keq ato ditë kishte ndërruar jetë. Xhelali i gjorë kishte ikur, duke marrë me vete edhe psherëtimat e fundit të tim eti...
Pra, letrën e kishte ruajtur Xhelali...
Pas asaj që ndodhi, të dënuarit e dhomës 7 përjetuan një terror të vërtetë. Në këto kushte nuk bëhej fjalë të fshihje qoftë edhe majën e gjilpërës. Letrën ia gjetën gardianët gjatë kontrollit dhe ia rrëmbyen forcërisht. Rrëmbyen dhe atë duke e tërhequr zvarrë. Letrën e futën në dosjet e sigurimit. Xhelalin e shkretë e mbyllën në birucë...
Si ua kanë përshkruar ngjarjen e 2 gushtit ‘67, të burgosurit e dhomës 7?
Padyshim, ka qenë një sprovë e rrezikshme. “Po shkoj drejt vdekjes me vullnetin tim”, shkruan babai në letrën e fundit. Me këtë bindje ishin edhe të tjerët. “Kjo është vetëvrasje!”, i qortoi një nga shokët e dhomës 7. Po ata nuk e dëgjuan. Hodhën në tokë pa ndjenja dy gardianët e shërbimit dhe shpërthyen derën e burgut. Babanë e vranë sa doli në tarracë. “E sharruan me njëqind plumba”, thonë shokët e tij. Dy të tjerët u kapën jashtë rrethimit. Pak a shumë kështu ka ndodhur...
E njoftoi familjen komanda e burgut për vrasjen e babait?
Faktin që babai nuk jetonte familja e mori vesh disa ditë pas ngjarjes, në takimin e radhës. Madje edhe atëherë vetëm me katër fjalë, nga oficeri i rojës te porta e burgut “Mos sillni gjë për Sazanin, se ka vdekur”. Deri vonë askush nga të afrimit nuk dinte si kishte dhënë shpirt. Kur kam mësuar rrethanat e ngjarjes jam tmerruar...
E ka qëlluar gardiani i parë që e ka parë mbi tarracë, duke u larguar nga qelia...
Kështu ka ndodhur, por shpagimi ndaj tij ka vazhduar edhe më tej. Kur ka rënë pa jetë nga tarraca në oborr, rojet e tjerë kanë derdhur qindra plumba mbi të. Ka qenë një skenë makabre, thonë ata që e kanë parë. Barbaria ka vazhduar pastaj me dhunimin e kufomës...
Me dhunimin e kufomës?
Kur ka mbaruar çdo gjë, komandanti i burgut urdhëroi rreshtimin para kufomës të të gjithë të dënuarve. Kush nuk shkelte mbi të, izolohej për 40 ditë në qeli. Shumica kundërshtuan...
Pastaj...
Trupin e Sazan Hadërit, drejtuesit e burgut nuk mund ta lëshonin lehtë. Ai që në gjallje u kishte sjellë aq andralla, tanimë mund t’i ndihmonte për të ngjallur frikën tek të tjerët. Para trupit të coptuar të Sazan Hadërit, komisarët e burgut paralajmëronin fatin e të dënuarve që do të guxonin të thyenin burgun. Paralajmëronin kërcënueshëm. Mesazhi i tyre ishte i drejtpërdrejtë “Provojeni po deshët, kështu do ta pësoni të gjithë!”. Në hakërrimin e gardianëve pa shpirt kishte urrejtje, por edhe frikë njëherazi...
Sa orë vazhdoi ky ritual mbi trupin e Sazan Hadërit?
Dy ditë e dy net, thonë shokët e tim eti, që kanë qenë aty. Për 48 orë me radhë trupin e babait e kanë mbajtur në një kazan plehrash te oborri i burgut. Pastaj e hoqën duke e hedhur diku. Deri sot askush nuk na ka treguar për vendvarrimin e tij. Kam shkuar vetë disa herë bashkë me tim shoq, Gëzimin, në Burrel për të gjetur eshtrat, por ende nuk kemi zbuluar gjë. Na thonë se pas asaj që ndodhi, e groposën te qershia. Kemi kërkuar aty, por më kot. Kemi takuar ish-gardianë e punonjës të burgut. Askush prej tyre nuk e hap gojën. Ka ndër ta, si ndihmës mjeku i repartit, i ngarkuar zyrtarisht me atë procedurë, që nuk pranon të flasë me lloj-lloj justifikimesh.
Në dosjen e Sazanit, veç rastit të 2 gushtit ‘67, ka edhe një rast tjetër të tentativës për t’u arratisur nga burgu...
Kjo ka ndodhur kur ishte në burgun e Laçit, në mos gaboj dy muaj para ngjarjes së 2 gushtit. Ka qenë një arrati spektakolare. Rrëmbeu makinën që furnizonte kampin dhe më të shpërtheu portën e burgut. Shtatë ditë e shtatë net ka jetuar në ndjekje të forcave të Sigurimit. E kapën në kënetë dhe e kthyen në burg. Të nesërmen e çuan në Burrel, me mendimin se aty do ta kishte të pamundur arratinë. “Unë prapë do iki”, u deklaroi gardianëve dhe provoi përsëri natën fatale të 2 gushtit...
Ju jeni vajza e vetme e Sazan Hadërit. çfarë keni përfituar nga statusi i të përndjekurit politik?
O Zot! Nuk doja të lëndohesha dhe një herë me këtë temë, gjithsesi po shprehem. Im at në dokumente figuron terrorist. Ashtu e kanë shkruar atë natë gardianët e Burrelit dhe ashtu ka mbetur. Ligji aktual nuk parashikon dëmshpërblim për këtë kategori. Po kë vrau babi im, që e kanë cilësuar terrorist...
Ndoshta për goditjen ndaj gardianëve natën e 2 gushtit...
është e vërtetë që atë natë ata janë kacafytur me dy gardianët, por vetëm sa për t’u marrë çelësat e portës së burgut. Dëshmitarët e ngjarjes thonë se ishin të gjitha mundësitë për t’i shfarosur, por nuk ishte ky qëllimi i tyre. Bile siç më ka treguar Dhori Gërnjoti, gjatë përballjes i kanë ruajtur.
Të ka qëlluar të takohesh me gardianët e lënduar të asaj nate?
Gjatë kësaj kohe jam takuar me shumë nga ish-punonjësit e burgut të Burrelit, por ata nuk i njoh, madje nuk ua di as emrat.
“Ju rrëfej çastet fatale të Sazan Hadërit”
Arratisjen e kishim menduar prej kohësh. Të tre në një mendje. Unë, Sazan Hadëri dhe Dhori Gërnjoti. Do shpërthenim burgun. Më parë nuk kishte guxuar kush. Ne arritëm. Po, po mundëm të dilnim nga tre rrethimet e tij. Ideja fillestare ishte të dilnim me anën e një tuneli. Së paku kështu kishim dëgjuar për raste të tjera. Bëmë llogaritë, por nuk na dolën. E vetmja mundësi mbetej të shpërthenim me forcë. Kështu vendosëm dhe vramë mendjen për mënyrën si do ta realizonim. "Kësaj i thonë vetëvrasje", na tha njëri nga bashkëvuajësit. E vërteta është se e hapëm lojën. Kjo padyshim që ishte me rrezik, se ata kishin spiunët e tyre. Sidoqoftë, nuk u tërhoqëm. Një natë gushti bëmë atë që kishim vendosur. Gozhduam në vend gardianët e shërbimit me grushte e shkelma dhe u morëm çelësat e portës. Pasi hapëm atë, dolëm në zonën e ajrimit. Prej aty u ngjitëm në hekurat e dritares dhe dolëm në tarracë. Rojet na diktuan menjëherë dhe hapën zjarr nga të gjitha anët. Sazan Hadëri u vra në vend. Unë me Dhorin shpëtuam e u hodhëm mbi tela. Kapërcyem dy rrethimet e jashtme dhe dolëm në arën me rrush. Sakaq ishte dhënë alarmi dhe me qindra forca të armatosura na ndiqnin nga pas. Nëpër plumba munda të largohem kodër pas kodre. Diku pas një ore mbeta i rrethuar. Më herët kishin kapur Dhorin, që ishte plagosur. Pas një jave erdhi dita e gjyqit. Shkalla e Parë, me pushkatim. Po kështu edhe e dyta. Presidiumi i Kuvendit Popullor na mëshiroi dhe na la me ridënim 25 vite. Nuk e morëm vesh kurrë si ndodhi falja, por asnjëherë për mëshirë. Diktatori dhe dikaturat kurrë nuk dinë të mëshirojnë. Sazanin atë natë e copëtuan. Nuk mjaftuan plumbat që mori në tarracë, por edhe kur ra poshtë në oborr, ushtarët e shërbimit nuk rreshtën së qëlluari. Pastaj komanda urdhëroi të dënuarit të shkelnin me këmbë mbi trupin e tij. Ka qënë diçka makabre. Sazan Hadëri ishte nga balli i djemve të Labërisë. I besës, trim, por edhe shumë i shkathët. Asokohe kishte një vajzë shumë të vogël, gati një vjeçe. Nuk e di si u përjetua tragjedia e tij në familjen Hadëri, por bashkëvuajtësit kanë qarë me dënesë. Unë dhe Dhori pasi iu nënshtruam hetimeve maratonë u rikthyem në qeli. Deshi Zoti arritëm ditën e lirisë. Dhori nuk ka pak ditë që ka ndërruar jetë. Gjithsesi, krijoi familje, bëri fëmijë dhe jetoi në liri. Thyerja e burgut të Burrelit natën e 2 gushtit ‘67 ka qënë një veprim i guximshëm. Me sa di, në atë kohë nuk u fol fare. Regjimi trembej e i fshihte këto ngjarje...
Tragjedia e Resul Hadërit, vëllai i Sazanit
Kur u mësua lajmi për vrasjen e Sazan Hadërit në burgun e Burrelit, të parin kryqëzuan të vëllain, Resulin. Në fakt, atë e kishin goditur më herët. Që ditën e arrestimit të Sazanit e degdisën nga ministria ku shërbente prej vitesh, në një zonë të skajshme me detyrë të rëndomtë. Tani që i vëllai kishte bërë “të pabërën”, nuk mund ta toleronin më. Resul Hadëri, ish-partizani i Brigadës së Pestë dhe ish-ushtaraku i lartë e përjetoi me dhimbje të madhe mënyrën djallëzore si u sollën me të. Përballë gjurmimit tinëzar të njerëzve të policisë sekrete më në fund reagoi me forcë, madje edhe publikisht. Kjo padyshim do t’i shtonte “mëkatet”. Kundërveprimi sakaq do vinte i rrufeshëm: Resul Hadërin e “rekrutuan” forcërisht si pacient të spitalit psikik! Aty pastaj u shkërmoq pak nga pak. “Sazan o shpirt, na vunë përpara si të kishim vrarë dynjanë”. Rikthehej tek i vëllai në ato pak çaste që kthjellohej dhe fliste si ta kishte pranë. Kështu deri sa një ditë, në dëshpërim e sipër, i dha fund jetës në kushte makabre. Që këtej drama u bë më e tmerrshme për të shoqen, Kushullën, që rriti një “tufë” fëmijë...