E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, Kuvendi mbikqyr SHISH



Erald Kapri

Komisioni i Sigurisë në Kuvend do të nisë sot shqyrtimin e një projektligji të ri për Shërbimin Informativ Shtetëror, një projektligj, i cili detyron SHISH që të përgjigjet para deputetëve të këtij komisioni çdo katër muaj. Projektligji, i cili është një nismë e re e marrë nga Sllovenia, vendos SHISH-in në mbikëqyrjen e Kuvendit. Sipas nismës së re, Komisioni i Sigurisë do të mbledhë informacion nga SHISH e më pas do të raportojë çdo vit në Kuvend, mbi punën e këtij institucioni. Të gjitha mbledhjet dhe raportimet do të bëhen me dyer të mbyllura, ndërsa deputetët do të ndiqen penalisht, nëse tregojnë në publik çdo informacion të rezervuar që ofrohet nga SHISH gjatë raportimeve në Komision. Nga ana tjetër, kompanitë celulare në vend do të tregojnë në Komision çdo tabulat telefonik të marrë nga SHISH.
Projektligji
Në nenin 1 të projektligjit thuhet se "ky ligj përcakton subjektin dhe shkallën e kontrollit parlamentar të shërbimeve informative të vendit. Ai përcakton përbërjen, kompetencat, detyrat e tyre dhe mënyrën e punës të njësisë parlamentare, për kontrollin e shërbimeve informative të vendit, e cila gëzon autoritetin dhe është kompetente për të kontrolluar shërbimet informative të shtetit". Kështu komisioni do të kontrollojë veprimtarinë e Shërbimit Informativ, për sa i përket përputhjes me politikën e miratuar për sigurinë kombëtare, të diskutojë programin vjetor të punës së Shërbimit Informativ etj.
Sipas projektit, Qeveria paraqet për diskutim në Komision programin e punës të çdo shërbimi të fshehtë informativ të kontrolluar për vitin në vazhdim. çdo katër muaj, edhe përveç atyre nëse është e nevojshme, shërbimi i fshehtë informativ i kontrolluar raporton në Komision për kryerjen e detyrave të tij të përgjithshme. Qeveria raporton në Komision për veprimtaritë e veçanta të shërbimit të fshehtë informativ të kontrolluar, që janë me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare. çdo tre muaj, operatorët e telekomunikacioneve duhet ta informojnë Komisionin për pjesën e urdhrit të marrë, për të monitorizuar veprimet e telekomunikacioneve dhe për monitorizimin e veprimeve të telekomunikacioneve që është bërë faktikisht. Operatorët e telekomunikacioneve duhet ta lejojnë grupin e autorizuar të ndërmarrë një inspektim të paralajmëruar ose jo të mjeteve dhe godinave që përdor shërbimi i kontrolluar për survejimin dhe regjistrimin e telekomunikacioneve.

Gjoni: Berisha po hakmerret ndaj SHISH
Deputetët i Partisë Socialiste, njëherësh nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, deklaroi dje se projektligji për SHISH tenton të vërë nën varësi të Kryeministrit Berisha Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas tij, projektligji rikthehet në vëmendje të Kuvendit në një kohë kur ambasadorët e huaj po shkëpusin vëmendjen nga realiteti, kur edhe një pjesë e tyre janë larguar me pushime. "Me këtë veprim, Sali Berisha mesa duket hakmerret ndaj një raporti realist e të balancuar, që Drejtori i SHISH bëri para Komisionit të Sigurisë, raport i cili binte ndesh me situatën rozë që mundohet të paraqesë Qeveria, sa i përket problemeve të sigurisë në vend, kryesisht lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit. Ai mesa duket mendon ta realizojë këtë synim, nisur edhe nga fakti se tashmë vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë, në gjykimin e tij, mund të jetë e shpërqendruar, për më tepër kur disa prej përfaqësuesve diplomatikë largohen nga vendi në përfundim të mandatit. Ai gjithashtu shpreson se pushimet që do të pasojnë, do ta davarisin vëmendjen", deklaroi deputeti i PS-së, Gjoni. Ai tha më tej se opozita nuk do të lejojë miratimin e këtij projektligji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›