Buxheti, Leskaj: PS-ja, gati një paketë anti-krizë
Tiranë- Grupi parlamentar socialist do të paraqesë në kuvend një paketë propozimesh antikrizë në formën e një buxheti alternativ. Sipas kryetares së grupit, Valentina Leskaj, që bëri me dije lajmin, paketa do të dorëzohet nesër në Kuvend me shpresën se do të merret në konsideratë nga ana e qeverisë.
Leskaj ka theksuar gjatë një deklarate për shtyp se grupi parlamentar i PS-së diskutoi edhe një herë lidhur me buxhetin e vitit 2009, për shkak se sot është votimi në parim.
“Natyrisht, vota e Grupit Socailist është votë kundër, sepse nuk mund të jetë votë pro një buxheti që varfëron shqiptarët. Buxheti i paraqitur nga qeveria për 2009, ka probleme të mëdha, sepse varfëron Shqipërinë. Është një buxhet që ka probleme të mëdha lidhur me mungesën e një pakete antikrizë, ndërkohë që të gjitha vendet evropiane dhe përtej tyre, kanë paraqitur paketa antikrizë, për të përballuar krizën që është në derë edhe për Shqipërinë”- ka thënë ajo.
Në buxhet, sipas saj nuk ka një paketë serioze antikrizë dhe kjo është një tjetër element garancie, që varfëria do të thellohet. Ajo ka nënvizuar edhe njëherë problemet e mëdha për sa i takon investimeve, sidomos çështja që ka të bëjë me fillimin e investimeve, duke alokuar 5 -10 % të fondeve, gjë që është e palejueshme, ndërkohë që do të thotë ta kthesh buxhetin në një piramidë.
“Ka probleme të mëdha me institucionet e pavarura, për sa kohë që qeveria pretendon se është e angazhuar për të luftuar korrupsionin, i cili nuk mund të luftohet për sa kohë institucionet e pavarura kondicionohen me buxhet, pra nuk u plotësohet buxheti. Ka probleme lidhur me buxhetin për ish-pronarët, të përndjekurit dhe shumë probleme të tjera”- vazhdoi më tej ajo, duke përfunduar me shpresën që qeveria t’i thërrasë arsyes, e të ulet të shqyrtojë propozimet e socialistëve.