Korrupsioni, Rama: Shqipëria e para në Ballkan
Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar sot pas Raportit të Balkan Monitor, realizuar nga Gallupi në bashkëpunim me Fondin Europian për Ballkanin. Raport që konstaton me shqetësim nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë, duke e cilësuar një përjashtim në rajon.
“Sali Berisha përpiqet ta mbulojë malin e mëkateve të qeverisjes së tij me një mjegull rrenash, faktesh të deformuara, shifrash të sajuara, inaugurimesh e spotesh banale që i paguan me lekët e shqiptarëve, ndërkohë që vetëm në 4 muajt e fundit, janë shprehur shumë qartë për gjendjen e rëndë të korrupsionit 3 burime prestigjoze ndërkombëtare”- tha Rama gjatë një konference për shtyp, duke iu referuar raportit të fundit, Balkan Monitor.
Në këtë raport këndvështrimesh e perceptimesh të mbledhura shkencërisht në të gjithë rajonin tonë, Shqipëria, ka deklaruar Rama, rezulton jo vetëm vendi më i korruptuar në Ballkan, po edhe vendi ku vetëm 29% e popullit beson se qeveria e ka seriozisht luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.
Ai ka theksuar se raporti e përcakton Shqipërinë si një rast të vecantë negativ në kapitullin për qeverisjen e korrupsionin. Për këtë Rama ka nënvizuar se kjo qeveri dhe ky kryeministër na kanë veçuar edhe nga Ballkani me korrupsionin e kudondodhur që stimulon keqqeverisja e tyre. Ndërkohë që Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Kosova, kanë një nivel korrupsioni, sipas rradhës nga 10 në 5%, niveli i korrupsionit në Shqipëri është 32 %.
Nuk është e para herë, sipas tij, që raportet e institucioneve të specializuara na japin këtë vit një pamje rrënqethëse të keqqeverisjes, duke nxjerrë në pah me fakte reale e shifra tronditëse atë që shqiptarët e shqiptaret përjetojnë vijimësisht nën këtë qeveri që po shpartallon shtetin dhe nën këtë kryeministër që po abuzon rëndshëm me pushtetin.
Ai ka kujtuar raportin e FMN-së, sipas të cilit, në krahasim me vitin 2005, korrupsioni në Shqipëri është dyfishuar. Në fillim të nëntorit Bashkimi Europian në Raportin e Progresit theksoi se korrupsioni në Shqipëri është një problem vecanërisht serioz dhe një fenomen i kudondodhur. Dhe së fundmi, raporti i Balkan Monitor nënvizon se Shqipëria është jo vetëm vendi më i korruptuar në rajon, po me diferencë të jashtëzakonshme nga të gjitha vendet e tjera.
Sipas Ramës, s'ka asnjë dyshim se kryeministri do të vazhdojë të gënjejë, qeveria e tij do të vazhdojë të abuzojë, keqqeverisja e vendit do të vazhdojë t'u shkaktojë vuajtje e dëme shqiptarëve. “Por falë vetëdijësimit të gjithmonë e më shumë qytetarëve e qytetareve të këtij vendi kjo agoni nuk do të zgjasë më shumë se muajt që i kanë mbetur Sali Berishës në pushtet”- përfundoi kreu i selisë rozë.