E Shtunë, 31 Tetor 2026

Era rrëzon depozitën, vdes 66-vjeçari

KUKËS - Moti i keq ka shënuar viktimën e pare në mënyrë të çuditshme. Ka vdekur në spitalin e Kukësit Haxhi Tota. Vdekja e 66-vjeçarit nga Kukësi erdhi si rezultat i plagëve të marra në kokë nga rrëzimi i një depozite uji nga tarraca e një pallati 6-katësh në qendër të qytetit të Kukësit. Rrëzimi i depozitës së ujit ishte pasojë e erërave të forta deri në stuhi të shënuara mëngjesin e së shtunës në rajonin e Kukësit. I plagosuri u transportua për në spitalin e Kukësit në gjendje kome, me disa fraktura në kokë, ku me gjithë ndërhyrjen e mjekëve ai nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. Ndërkohë që pas reshjeve të borës, në rajonin e Kukësit janë shënuar ulje të ndjeshme të temperaturave të shoqëruara me ngrica. Kjo ka bërë që të vështirësohet qarkullimi në aksin rrugor kombëtar Kukës-Fushë-Arrës. Megjithatë, sipas drejtorit rajonal të rrugëve, Rushit Gashi, të gjitha rrugët nacionale janë të qarkullueshme, ku në aksin Kukës-Fushë-Arrës mund të qarkullohet edhe pa zinxhirë, pasi po vazhdon hedhja e kripës. Gashi ka bërë të ditur gjithashtu se janë zhbllokuar nga bora segmentet rrugore Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Ura e Dodës e aksit Kukës-Peshkopi, por në këto akse qarkullohet vetëm me ndihmën e zinxhirëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›