Kuvend, me 77 vota pro miratohet Buxheti 2009
Tiranë-Deputetët kanë votuar sonte Buxhetin e vitit 2009. Me 77 vota pro, 44 kundra dhe 1 abstenim buxheti i miratua në parim.
Para miratimit të tij në sallën e Kuvendit u zhvillua debat të lirë, ku folën deputetë të majtë dhe të djathtë. Sipas të majtëve, ky buxhet varfëron më tej shqiptarët ndaj nuk u votua prej tyre. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar socialist Erjon Braçe, 80% e parave të planifikuar për rrugët në vitin 2009, do të shkojnë në rrugën Rrëshen- Kalimash, dhe vetëm 20% e fondeve do të shkojnë për rrugët në gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë.
Debati kryesor gjatë seancës së sotme ishte ai për rrugën Durrës-Kukës, ku replikuan deputeti i PS-së, Erjon Braçe dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi. Sipas Braçes, Qeveria ka vjedhur 230 milion euro, sepse janë rritur në mënyrë fiktive çmimet e punimeve.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Braçe tha se një metër katror rrugë nga 73 Euro që e ka vlerën ka kapur shifrën e 240 Eurove për metër katror. Ai tha se është rritur në mënyrë fiktive çmimi i punimeve, duke e shtuar vlerën e saj me plot 230 milion euro.
Sipas tij me shumën që është vjedhur do të ishte ndërtuar 200 pallate 8- katëshe në një gjatësi sa është autostrada Kavajë- Tiranë. Ky ishte krahasimi që solli Braçe në Kuvend dhe solli kundra argument nga ministri Olldashi. “Unë do të vazhdoja me krahasime duke iu shpjeguar se autostrada është një invetim gjigang që me hekurin që është përdorur mund të ishin ndërtuar 36 Kulla Eifel, dhe me betonin që është hedhur mund të ishin ngritur 15 hidrocentrale si ai i Komanit”, tha Olldashi. Më tej, Olldashi ka mbrojtur këtë rrugë duke thënë se ky është projekti i shekullit dhe ka ftuar Braçen të vizitojë sëbashku nga afër punimet e kësaj rruge.
Përsa i përket volumit të punimeve dhe kostos së tyre, Braçe tha se “Berisha ka planifikuar ta çojë vlerën e kësaj rruge 1miliard e 27 milion euro, duke marrë lekët e taksapaguesve shqiptarë”.