Buxheti, Rama sulmon LSI-në
Aristir Lumezi
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë ashpërsuar sërish qëndrimet e tyre. Pas rrëzimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Edi Rama, mblodhi në një takim të jashtëzakonshëm në Pallatin e Kongreseve punonjësit bashkiakë socialistë në Tiranë. Rama deklaroi se buxheti i Tiranës po mbahet peng nga politika e vjetër. Ndërsa LSI e ka cilësuar këtë takim si hipokrizi të kryetarit të bashkisë në një bashkëbisedim me nëpunësit e tij dhe jo me qytetarët e Tiranës. "Edi Rama, në qoftë se do vota për të vazhduar vjedhjen e buxhetit të bashkisë së Tiranës, fare mirë këto vota mund t'i marrë atje ku i ka marrë dhe në 21 prill për të bërë Kushtetutën, pra tek PD, atje ku i mori, i ndau dhe i shkëmbeu për të shkatërruar Prokurorinë, Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor", u shpreh sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili. Duke folur për rreth një orë para të pranishmëve, Rama tha se buxhetin e bashkisë së kryeqytetit, e rrëzuan ata që për të interesa të ngushta politike u bashkuan kundër qytetarëve të Tiranës dhe ndaj buxhetit më të debatuar dhe më të konsultuar se të gjitha buxhetet e tjera. "Jam këtu bashkë me ju që të përballojmë një situatë të jashtëzakonshme. Qytetarët nuk meritojnë të mbeten peng, sepse fëmijët e këtij qyteti në radhë të parë nuk duhet dhe ne nuk do t'i lëmë peng të atyre interesave dritëshkurtra që rrëzuan në Këshillin Bashkiak të Tiranës, buxhetin më të debatuar me qytetarët e Tiranës, dhe padyshim buxhetin më të mirë që kemi realizuar", theksoi Rama. Kreu i Bashkisë, tha më tej se "ne kemi bërë analizat dhe sintezën më të përshtatshme për të përmbushur numrin më të madh të kërkesave të qytetarëve dhe komuniteteve nga Kodra e Priftit në Kamëz, nga Selita deri në Laprakë, nga Tirana e vjetër e deri tek Tirana e Re". Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili i kërkoi kreut të bashkisë të reflektojë në qëndrimet e tij. "Në vend që të shpjegojë, të reflektojë dhe të argumentojë buxhetin e Bashkisë së Tiranës atje, me të zgjedhurit e kësaj bashkie nga qytetarët, me këshilltarët bashkiakë që kanë dhe autoritetin për ta miratuar atë, ka vendosur që si qëmoti të bëjë fjalime dhe patetizma të karakterit qesharak neodiktatorial", tha Vasili. Duke shprehur qëndrimin e LSI-së për këtë buxhet, Vasili "ne nuk kemi ndërmend dhe nuk do të pranojmë asnjë lloj kompromisi me buxhet-rrumpallat, të cilët nuk kanë lidhje me interesat e qytetarëve të Tiranës, por kanë lidhje me interesa të ngushta e klienteliste, qoftë të Leprave e Kokëdhimave që i qëndrojnë përkrah. Pra, janë qartësisht të lidhura me interesa të një karakteri tjetër, por jo të zgjidhjes së halleve të qytetarëve të Tiranës. Ne, sigurisht do t'i kërkojmë llogari deri në qindarkën e fundit Edi Ramës, se si i ka shpenzuar 1.5 miliardë lekë të reja, shpenzime operative një shumë marramendëse kjo", tha Vasili.