Fshati turistik në Kakome, zbardhen detajet e projektit
SARANDE/ SHPRESA DINE
Prej ditësh kanë nisur punimet për të ndërtuar fshatin turistik në Kakome nga kompania "Club-Med". Një projekt i iniciuar prej kohësh pritet të bëhet realitet në bregdetin e jugut. Sipas projektmenaxherit Zheko Kolev, ky projekt është dhe një sfidë në vendin tonë, duke e cilësuar si hapin e parë drejt turizmit të vërtetë.
Sa i rëndësishëm dhe çfarë madhësie ka ky projekt në Shqipëri?
Ky projekt do të iniciojë turizmin e vërtetë në Shqipëri. Nëse në Shqipëri do të bëhet turizëm i përmasave të mëdha duke bërë gjëra të mëdha, duke bërë gjëra nga ekspertë të specializuar, turizmi do të ecë përpara. Dhe natyrisht kështu do të ndodhë dhe shpresojmë që të paraqiten projekte të ngjashme përgjatë detit Jon dhe gjithë brigjeve shqiptare. Ju e keni parë Kakomenë, padyshim mund të them se kemi kënaqësinë të nisim punimet e këtij fshati turistik pikërisht në një bukuri përrallore, në një vend me ujë të kristaltë, me një natyrë shumë të bukur dhe më shumë se të gjitha me një qetësi hyjnore që ta jep mjedisi këtu, gjë të cilën nuk e gjen askund në Evropë. Ne me këtë projekt përpiqemi të mos përsërisim më gabimet e bëra në pikat e ndryshme të Mesdheut, si në Spanjë, që kudo të shoqëron zhurma e pafund, ndërtime të pafund njëra pranë tjetrës, ku mungon ajri dhe ndjeshmëria se je pranë natyrës. E gjithë kjo nuk do të ndodhë gjatë projektit të Kakomesë.
Kakomeja është një territor me tradita të pasura. Ç'mendoni se do t'i sjellë kësaj zone ky projekt?
Do t'i japë një shtytje ekonomisë në përgjithësi në të gjitha drejtimet. Do të hapen shumë vende pune, për të cilat rinia e zonave përreth duhet të mësojë për të administruar turizmin dhe të bëhen profesionistë të vërtetë dhe kjo natyrisht që do t'u mësohet nga profesionistët e vërtetë, që do të vijnë këtu dhe që kanë mbi 20 vjet në këtë zanat. Ana tjetër është se ky projekt do të nxisë në këtë vend shumë biznese paralele. Pra, do të zhvillohen biznese për tregtinë e luksit, do të zhvillohen traditat e artizanatit lokal, për të cilat një evropian vjen pikërisht këtu për të gjetur një pjesë të historisë, një pjesë të kulturës, dëshiron të blejë gjëra artizanale vendase, që janë shumë të pëlqyeshme në Evropë.
Sa shtretër ka projekti dhe sa turistë mendoni se do të qarkullojnë brenda një viti?
Në vija të përgjithshme flitet për mbi 800 shtretër turistikë dhe me stinën e zgjatur do të përballohen mbi 10 mijë turistë, sepse kjo është pika e fortë e "Club Med"-it: Stina e zgjatur turistike. Në se deri tani në Shqipëri zgjat vetëm korrik-gusht, politika e "Club Med"-it është për ta zgjatur deri në 6 muaj këtë stinë. Në Evropën Perëndimore ka shumë familje që preferojnë një klimë jo të muajve të nxehtë, si shtatori dhe tetori, dhe ato para fillimit të verës, pra prillin, majin dhe qershorin. Gjithashtu, mendohet një turizëm konferencash, ku hyjnë konferencat e biznesit, të cilat bëhen edhe gjatë dimrit, gjë kjo që lejon mbajtjen hapur të këtij resorti turistik në mënyrë aktive edhe në muajt gjatë dimrit. Pra, kjo i jep mundësinë zonës që të punojë në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë vitit.
Sipas banorëve të zonës, pas ndërtimit të fshatit turistik nuk do të krijohet mundësi për ta prekur këtë zonë, për ta vizituar apo larë në det, siç kemi bërë tradicionalisht. Si qëndron e vërteta?
Absolutisht nuk është e vërtetë. Fshati turistik pas përfundimit të tij do të ketë portat e hapura për të gjithë. Do të gjenden të gjitha modulet për ta realizuar këtë. As mos e mendoni se do të vijnë turistët këtu për të qëndruar të izoluar nga realiteti juaj. Ata kërkojnë ta njohin kulturën tuaj. Klienti perëndimor kërkon të njohë deri edhe vendasit.
Sa do të jetë i mbrojtur mjedisi nga veprimtaria juaj?
Për turistët që sjell "Club Med"-i cilësia e ambientit është kërkesë e dorës së parë. Do të ruhet qetësia e bukuria e mjedisit, gjelbërimi dhe do të shtohen pyje të rinj gjysmë artificialë me ekspertë të posaçëm. Dhe do të mirëmbahen ato që ekzistojnë sot në natyrën e egër.