Zgjedhjet për Tiranën, Bumçi propozohet për kryetar të PD
Aldo Bumçi rezulton të jetë ndër kandidatët e propozuar së fundi për kryetar të PD-së së Tiranës. Shumë seksione kanë nxjerrë pikërisht emrin e ish-ministrit të Drejtësisë, tani zëdhënës i grupit parlamentar të PD për pasardhës të Sokol Olldashit në degën më të madhe të kësaj partie. PD ka hyrë në fazën përfundimtare të zgjedhjeve në seksione. Rreth 90 për qind e seksione, njësi e rëndësishme e strukturave të partisë me sistemin e ri zgjedhor, kanë zgjedhur tashmë krerët e tyre të rinj. Burime në PD bëjnë të ditur se gjatë javës së ardhshme pritet të përfundojë procesi zgjedhor edhe në pjesën e mbetur të seksioneve, ku zgjedhjet nuk janë zhvilluar ende. Mbyllja e këtij procesi do të pasohet me zgjedhjet në grupseksione, të cilat në bazë të ndarjes së Bashkisë së Tiranës, janë 11. Bëhet e ditur se për 11 minibashkitë baza ka propozuar një numër të madh kandidatësh, madje ka njësi të cilat kanë më shumë se gjashtë kandidatë. Paralelisht me mbylljen e zgjedhjeve, seksionet vazhdojnë të propozojnë emrat për kryetar të degës së Partisë Demokratike.
Kandidatët
Megjithëse numri i kandidatëve është i madh, duket se gara do të përqendrohet pikërisht të pesë emra. Para Bumccit, pjesë e kësaj gare janë bërë Besnik Mustafaj, Gjergj Bojaxhi, Lajla Përnaska dhe Edi Paloka. Në të njëjtën kohë përkrah tyre thuajse emrat e të gjithë ministrave të cilët janë dërguar në kryesinë e PD-së. Gara për degën e kryeqytetit nisi të bëhej intensive pasi ish-ministri i Jashtëm dhe një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Berisha deri një vit e gjysmë më parë, Besnik Mustafaj deklaroi publikisht, se kërkonte votën për pasardhës të Sokol Olldashit. Pas tij emri më i përfolur ishte ai i ish-zv/ministrit të Ekonomisë, tani drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi. Publikisht Bojaxhi është shprehur se synon kreun e Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kohët e fundit ai ka qenë aktiv me disa dalje në publik si dhe në debatet me kreun e Bashkisë, Edi Rama, në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Pas Bojaxhiut ishte deputeti i kryeqytetit, Edi Paloka, i cili u shpreh i gatshëm të hyjë në garë nëse seksionet do ta propozojnë. Disa prej seksioneve kanë propozuar pikërisht emrin e tij. Ndërkohë, së fundi në garë u përfshi dhe deputetja e maxhorancës, Lajla Përnaska. Sipas statutit të Partisë Demokratike të miratuar në Kongresin e vitit 2005, pavarësisht faktit se kush propozohet si kandidat për një nga degët e Partisë Demokratike, do të jetë kryesia qendrore në Tiranë ajo që do të vendosë përfundimisht se mes cilëve kandidatë do të votohet. Në nenin 27 të statutit të forcës më të madhe politike në vend, në kapitullin "Kryetari" thuhet se, është pikërisht kryesia qendrore ajo që formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Më konkretisht, sipas këtij neni: "Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH-së. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat".