E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet në lokal në Itali, shqiptari me precedentë penalë

 

ITALI - Një emigrant shqiptar u vra mbrëmjen e të shtunës në një lokal në Napoli të Italisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes, kur disa persona kanë qëlluar me armë zjarri mbi viktimën që gjeti vdekjen brenda pak çasteve. Ekzekutorët mësohet se fillimisht janë afruar tek lokali ku ndodhej shqiptari, siç duket për të verifikuar praninë e tij aty. Më pas, vrasësit kanë hyrë në lokal dhe pa komunikuar me askënd kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar me breshëri në drejtim të emigrantit shqiptar. Policia dhe mediat italiane nuk kanë bërë njoftime për viktima apo të plagosur të tjerë, ndërsa thanë se i vrari është identifikuar si 38-vjeçari Gaznam Bici. Hetuesit e policisë të cilët shkuan në vendin e ngjarjes, pohuan se viktima është qëlluar disa herë me pistoletë çka i ka shkaktuar humbjen e jetës brenda pak çasteve pa i lënë mundësi shpëtimi. Në këtë mënyrë edhe tentativa për të transportuar viktimën në drejtim të spitalit duket se ka rezultuar pa vlerë. Policia menjëherë sapo identifikoi viktimën e ngjarjes, tha se 38-vjeçari kishte precedentë penalë në Itali në fushën e trafiqeve të paligjshme. Pikërisht kjo veprimtari për të cilën policia po hetonte viktimën prej disa vitesh, dyshohet se ka qenë edhe shkaku i vrasjes. Megjithatë, policia nuk është nxituar të flasë për nacionalitetin e vrasësve, edhe për shkak se dëshmitarët e ndodhur në lokalin "Gazebo", ku ndodhi ngjarja por edhe personali aty, thanë se ekzekutorët nuk kishin folur, por vetëm kishin qëlluar shqiptarin dhe kishin ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia e provincës së Napolit ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ndërsa hetuesit kanë gjetur disa gëzhoja pistolete, por asnjë gjurmë të ekzekutorëve. Ata janë larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes, por policia nuk përjashton mundësinë që më tej ata të jenë ndihmuar nga ndonjë automjet apo të kenë ikur me taksi pasi kanë fshehur armët, që kanë përdorur për vrasjen e shqiptarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›