Olldashi: Mustafaj po bën mistrecin për t’u faktorizuar
ADI SHKEMBI
Nuk besoj se rruga që ka zgjedhur Mustafaj për t'u faktorizuar, duke bërë mistrecin dhe duke kërkuar rrugëve dikë, që t'i thotë "hundëderr" është rruga e duhur. Pas muajsh të shumtë heshtje dhe shmangie të replikave, kryetari aktual i degës të PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi u është përgjigjur dje akuzave të kandidatit për këtë post, Besnik Mustafaj. Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Panorama", kreu i demokratëve të kryeqytetit, njëherësh edhe ministër i Punëve Publike hedh poshtë akuzat e ish-ministrit të Jashtëm se është duke mobilizuar militantët kundër tij. "Për koincidencë në të njëjtën ditë kam pasur dy akuza. Nga Besnik Mustafaj dhe nga Sali Lusha. Shpresoj të jenë të palidhura me njëra-tjetrën. Zoti Mustafaj pretendonte se po i ngushtoja hapësirën, duke u bërë presion militantëve. Zoti Lusha pretendonte se kisha tentuar t'i ngushtoja hapësirën, duke i kërkuar policisë ta mbikëqyrte. Eshtë krejt e pakëndshme, por Mustafaj gënjen, kurse Lusha në këtë pikë thotë të vërtetën", shprehet Olldashi gjatë intervistës. Në të njëjtën kohë ai vlerëson garën, që është duke u bërë në këto zgjedhje. Por pavarësisht numrit të madh të kandidatëve që po dalin, ai thotë se në garë nuk mund të hyjnë 40 kandidatë, por ata që kanë më shumë vlera. Kreu i PD-së së Tiranës komenton edhe qëndrimin e kreut të shtetit për të mos dekretuar, por as për të mos kthyer ligjin e Dosjeve. Në të njëjtën kohë ai kritikon edhe Prokuroren e Përgjithshme, për të cilën thotë se "Prokurorinë nuk mund ta konceptojmë si domatet, që blihen në pazarin e ri që, edhe kur nuk janë të mira për sallatë, mund të përdoren për salcë. Prokuroria ka vetëm një mënyrë funksionimi dhe kjo është ushtrimi i akuzës duke u bazuar në ligj. Nëse baza zhvendoset dhe Prokuroria vepron politikisht, rikthehemi në modelin e Arben Rakipit dhe ky nuk është as modeli i duhur, as modeli për të cilin kemi votuar".
Pas pak javësh pritet që dega e PD-së së Tiranës të zgjedhë kryetarin e ri të saj. Deri në këto momente si e gjykoni ecurinë e përzgjedhjes së kandidaturave?
Zgjedhja e kryetarit është hapi i fundit. Ajo që është e rëndësishme është procesi në tërësinë e vet dhe procesi në tërësinë e vet është akoma në stadin e parë. Janë zhvilluar masivisht zgjedhjet në seksione, diku edhe kanë përfunduar. Ajo që mua më pëlqen është se ka pasur pjesëmarrje masive, ka pasur shumë anëtarësime të reja. Ka pasur diskutime të lira mbi të gjithë ecurinë e PD-së në këto vite dhe unë besoj se nga gjithë ky proces i nisur mirë dhe i zhvilluar deri tani shumë mirë do të kemi një produkt final, i cili nuk do të jetë thjesht emri i kryetarit, por do të jetë një strukturë e tërë politike solide, dinamike dhe e përgjegjshme për të fituar. Emrat nuk janë vetëm ato që kanë dalë në media, lista e emrave të propozuar është shumë më e gjerë sesa aq dhe brenda saj ka vlera të qenësishme, që mund të përfaqësojnë PD-në e Tiranës.
Për të ngelur tek emrat që tani janë përfolur më shumë, Mustafaj, Bojaxhi, Paloka e Përnaska. Si i vlerësoni këto kandidatura?
Nuk do ishte etike që unë të hyja në analizën e emrave, duke qenë kryetar në detyrë i Partisë Demokratike të Tiranës. Ju thashë që lista është shumë më e gjatë sesa kaq dhe brenda saj ka emra shumë të mirë për të drejtuar degën e Tiranës.
Mes tyre, zoti Mustafaj është shprehur shumë kritik për drejtimin, që ju i keni bërë degës së kryeqytetit. Sipas tij, nga momenti që ju keni marrë postin e ministrit praktikisht, nuk e keni drejtuar më këtë degë...
Për koincidencë në të njëjtën ditë kam pasur dy akuza. Nga Besnik Mustafaj dhe nga Sali Lusha. Shpresoj të jenë të palidhura me njëra-tjetrën. Zoti Mustafaj pretendonte se po i ngushtoja hapësirën, duke u bërë presion militantëve. Zoti Lusha pretendonte se kisha tentuar t'i ngushtoja hapësirën, duke i kërkuar policisë ta mbikëqyrte. Eshtë krejt e pakëndshme, por Mustafaj gënjen, kurse Lusha në këtë pikë thotë të vërtetën. Unë nuk besoj se rruga që ka zgjedhur Mustafaj për t'u faktorizuar, duke bërë mistrecin dhe duke kërkuar rrugëve dikë që t'i thotë "hundëderr" është rruga e duhur. Nuk besoj se valorizohesh as duke bërë Shaban Qosen, as duke vepruar për inat. Në rastet kur inati kapërcen logjikën, këshilla e duhur është të gjesh mullixhi dhe jo të kandidosh në parti.
A është e vështirë që një kandidat të fitojë degën e Tiranës, nëse nuk ka mbështetjen e kryeministrit dhe kryetarit të PD-së?
Procedura e zgjedhjes së kryetarit të degës së Tiranës është e njëjtë si në të gjitha degët e tjera. Propozimet dalin nga seksionet, nuk vetëshpallen. Më pas kalojnë në filtrin e kryesisë së degës dhe pastaj në filtrin e kryesisë së përgjithshme dhe kjo është e sanksionuar në statutin e PD-së, që nuk është shkelur në ndonjë rast. Ne nuk do shkojmë në konferencë me 40 kandidatë, por me ata kandidatë që do të vlerësohen nga strukturat që kanë të drejtën e filtrimit si kandidaturat më potenciale për të drejtuar degën e Partisë Demokratike të Tiranës. Nuk di ndonjë rast kur kryetari i partisë të ketë vënë veton për kandidatura, qoftë në Tiranë, qoftë gjetkë, por në konceptin tim për organizimin dhe funksionimin e një partie të qendrës së djathtë do të ishte mirë, që lideri i partisë ta kishte këtë të drejtë. Në qoftë se liderit i jep edhe meritat edhe përgjegjësitë, është normale t'i japësh të drejtën të përcaktojë ekipin e tij.
Presidenti Topi nuk dekretoi, por as nuk ktheu në parlament ligjin e Dosjeve. Si e komentoni këtë zgjidhje të mesme të kreut të shtetit?
Më shumë se një rrugë e mesme më duket një rrugë parrugë, apo një mënyrë as...as..., por kjo ka qenë në çmim të z.Topi. Do të kisha preferuar që ai të jepte një mbështetje të qartë për ligjin, sikurse ka pasur të tjerë që kanë pritur prej tij një refuzim të qartë të ligjit.
Çështja e dosjeve u kundërshtua hapur nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Këshilli i Evropës. Pse kjo maxhorancë insistoi kaq fort për këtë ligj në prag të zgjedhjeve, edhe pse me kosto në marrëdhëniet me aleatin tonë strategjik SHBA-në?
Nuk ka pasur kundërshtim të hapur, por ka pasur ndjeshmëri të lartë, për shkaqe të kuptueshme. Ky ligj është i domosdoshëm, sepse popujt, si qenie të gjalla, kanë nevojë që për të jetuar mirë, të gjejnë ekuilibrin shpirtëror, apo paqen me veten. Ky ligj këtë bën. As nuk është hakmarrje, as nuk është shpagim. Eshtë morali, është paqtimi i memories kombëtare nga konfuzionet që ia shkaktoi asaj gjysmëshekulli terror komunist.
A ka një ftohje të marrëdhënieve mes qeverisë dhe Presidentit kohët e fundit?
Varet se në cilën sqetull e vendos termometrin.
Edhe pse maxhoranca shkarkoi kryeprokurorin Sollaku ka sërish përplasje me pasardhësen e tij në këtë institucion. Shumica e ka akuzuar Ina Ramën se po përdoret politikisht. A jeni penduar për votën që keni dhënë?
Prokurorinë nuk mund ta konceptojmë si domatet që blihen në pazarin e ri që, edhe kur nuk janë të mira për sallate, mund të përdoren për salcë. Prokuroria ka vetëm një mënyrë funksionimi dhe kjo është ushtrimi i akuzës duke u bazuar në ligj. Nëse baza zhvendoset dhe Prokuroria vepron politikisht, rikthehemi në modelin e Arben Rakipit dhe ky nuk është as modeli i duhur, as modeli për të cilin kemi votuar.
Në vitin 2005 ju erdhët në pushtet duke premtuar luftë kundër korrupsionit. Ndërkohë, në fushatën e këtij viti ju kërkoni një mandat të dytë, teksa keni dy ministra pa imunitet, të akuzuar për korrupsion. A është ky një problem dhe a do t'u ulë pikë në garën elektorale?
Ne nuk kemi dy ministra pa imunitet. Ne jemi 14 ministra dhe një maxhorancë e tërë pa imunitet. Kemi kërkuar heqjen e imunitetit kur kemi qenë në opozitë dhe e kemi konfirmuar sapo kemi ardhur në pushtet. Kështu që kjo nuk ka asnjë lidhje me ballafaqimin që ne do të kemi me qytetarët shqiptarë pas më pak se gjashtë muajsh. Bilanci me të cilin ne do të dalim përpara shqiptarëve, është tjetër, është një Shqipëri që ndryshon çdo ditë, një Shqipëri kandidate për në BE, anëtare e NATO-s, një Shqipëri me infrastrukturë moderne, me rritje ekonomike dyshifrore, me taksa të përgjysmuara, një Shqipëri që me rekordet më pozitive të reformave dhe të luftës kundër korrupsionit, një Shqipëri me norma kriminaliteti nën mesataren evropiane, me rroga dhe pensione të dyfishuara, një Shqipëri që bëhet çdo ditë më e mirë për të gjithë.
Rruga Durrës-Kukës do të inaugurohet brenda zgjedhjeve të përgjithshme? Është përfolur data 13 qershor si dita kur do të pritet shiriti i përfundimit të saj...
Afati kontraktual i rrugës është 30 qershori i këtij viti, ecuria e punimeve është e mirë në të gjithë sektorët. Besoj që të gjitha shanset janë që të mbarojë në afatin kontraktual. Edhe tuneli që është pjesë e vështirë ka ecur brenda parashikimeve të planit të punës. Herë-herë janë shfaqur vështirësi, por të gjitha këto nuk e kanë prekur ecurinë deri në atë pikë, që të venë në rrezik përfundimin në kohë. Jam me shumë besim, që rruga do të inaugurohet në afatin e vet kontraktual.
Cilat rrugë do të përfundojnë brenda mandatit tuaj qeveritar?
Janë një mori rrugësh që përfundojnë gjashtë muajt e parë të këtij viti. Do të keni mundësi t'i shihni. Njëkohësisht do të fillojnë të tjera. Një ndër projektet kryesore, që ne po përpiqemi të nisim është unaza e madhe e Tiranës. Kemi bashkëpunuar me Bashkinë për shpronësimet dhe që në qershor të vitit të shkuar ne jemi gati. Por, meqenëse Bashkia nuk mund të marrë kredi, për shkak të paaftësisë paguese, ne kemi kërkuar që bashkia të na vërë në dispozicion projektin, që ne të fillojmë menjëherë realizimin. Unaza e madhe është një projekt emergjent, që duhet të nisë sot dhe jo të presë sikurse thotë kryetari i partisë së bashkisë deri në 2012.