E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, 4 parti përzgjedhin Kolegjin Zgjedhor në shortin e KLD

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të organizojë sot paradite shortin për përzgjedhjen e tetë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, KLD-ja ka shpallur prej ditësh procedurën e përzgjedhjes së tetë anëtarëve, që mund të kenë në dorën edhe krijimin e qeverisjes së ardhshme. Në bazë të nenit 146 të Kodit, në garën për t'u bërë anëtarë të Kolegjit përfshihen të gjithë gjyqtarët e Gjykatave të Apelit nëpër rrethe. Ndërsa në këtë proces përfshihen edhe katër partitë parlamentare, të cilat mund të ndërhyjnë në emrat që dalin fitues, duke i eliminuar nëse nuk e pëlqejnë si kandidaturë. Kuvendi në shkresën zyrtare dërguar KLD-së ka përcaktuar Partinë Socialiste, Partinë Socialdemokrate, Partinë Demokratike dhe Partinë Republikane në realizimin e këtij shorti. Sipas pikës 3 të nenit 146, secila prej partive parlamentare ka të drejtën të eliminojë një anëtar nga shorti i përzgjedhur. Ndërsa asnjë prej partive nuk mund të shprehë kontestime për emrat që eliminohen nga proces. Pas përjashtimit të anëtarëve të përzgjedhur, KLD-ja brenda një ore organizon një short të dytë për të plotësuar numrin e plotë të Kolegjit. Brenda 24 orëve nga zgjedhja, tetë anëtarët e Kolegjit bëjnë betimin e tyre. Në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Kolegjit, sipas nenit 148 nuk përfshihen gjyqtarët: kur është vendosur fillimi i çështjes penale; është në fuqi një masë disiplinore dhe është filluar procedim disiplinor. Ndërsa 45 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, zv/kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu duhet të mbledhë Kolegjin Zgjedhor, duke e lënë në punë deri në përfundimin e të gjithë procesit zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›