E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dehuri pret gruan me thikë në qafë

 

Krimi godet sërish në familjet krye-qytetase, burri i dehur masakron bashkëshorten me thikë pa asnjë shkak. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:00 të mesnatës së djeshme në Laprakë, kur një 40-vjeçar goditi me thikë gruan, të cilës i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia e Tiranës bëri të ditur se pas hetimeve paraprake ka rezultuar se autori i krimit, Shpëtim Zhllima ishte kthyer pas mesnate në banesën që ndodhet pas Spitalit Ushtarak në zonën e Laknasit pranë Kamzës. Autori i ngjarjes mësohet se artikulonte fjalë pa kuptim dhe akuza ndaj gruas ashtu në gjendje të dehur. Për shkak të sasisë së madhe të alkoolit të konsumuar ai ka nisur të grindet me bashkëshorten, Nafije Zhllimën, me të cilën ka shkëmbyer deri edhe fjalë fyese. Brenda pak çasteve, grindja ka degjeneruar në ofendime të rënda dhe në këtë kohë 40-vjeçari ka rrëmbyer një thikë në kuzhinë dhe me të ka qëlluar tri herë bashkëshorten. Njëra prej goditjeve, ajo që viktima ka marrë në qafë ka qenë fatale për të pasi i ka shkaktuar prerjen e arteries kryesore të kokës si pasojë e së cilës ka humbur shumë gjak. Hemorragjia nga kjo plagë dhe mungesa e gjakut në tru, ka sjellë brenda pak çastesh vdekjen e gruas 38-vjeçare, në kohën që ajo ende nuk kishte marrë asnjë ndihmë mjekësore. Pas kësaj autori i vrasjes së gruas ka njoftuar policinë ku është vetëdorëzuar së bashku me mjetin e krimit dhe ka rrëfyer para hetuesve gjithë ngjarjen.
Krimi në familje
Policia, pasi u njoftua për ngjarjen ka mbërritur në banesën e çiftit Zhllima dhe deklaron se ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij krimi. Ndërkohë, që autori i krimit, 40-vjeçari është shoqëruar në komisariat, ku pas pyetjeve ka dhënë detaje rreth ngjarjes. Burime policore pohojnë se në momentin kur kanë mbërritur në banesën e familjes Zhllima kanë prangosur 40-vjeçarin Shpëtim Zhllima, i cili menjëherë ka pranuar autorësinë në krim dhe ka pranuar të shpjegojë gjithë ngjarjen. Sipas tij, ai ishte kthyer në banesë në gjendje të dehur pas mesnate, çka ka bërë që të niste të grindej me bashkëshorten e tij. Më tej, ai ka pranuar se për shkak të humbjes së vetëdijes dhe gjykimit nga alkooli i tepërt i konsumuar ka nisur të grindet me gruan fillimisht me fjalë fyese dhe më pas biseda ka kaluar në ofendime të rënda dhe më tej edhe në grindje fizike mes dy bashkëshortëve. Pikërisht në këtë moment ai ka rrëmbyer thikën e bukës në kuzhinë dhe me të ka qëlluar bashkëshorten. Goditjet kanë qenë dy herë në trup dhe njëra prej tyre në zonën e qafës.
Hetimi për vrasjen
Hetimet paraprake të ngjarjes kanë nxjerrë se dy bashkëshortët Zhllima prej disa kohësh kanë pasur grindje të vazhdueshme mes tyre. Kjo gjendje ka vazhduar për disa kohë, e shoqëruar edhe me dhunë fizike të 40-vjeçarit ndaj gruas. Për shkak të kësaj bashkëshorti, siç ka pohuar vetë në polici, i ndodhte shpeshherë të dehej dhe të kthehej në këtë gjendje në shtëpi. Konsumimi i sasive të shumta të pijeve alkoolike shkaktonte veç tjerash edhe probleme ekonomike në familjen Zhllima, duke acaruar më tepër marrëdhëniet mes dy bashkëshortëve. Vetë i arrestuari i djeshëm pas masakrimit të gruas, ka pranuar të rrëfejë para hetuesve të gjitha ngjarjet që njëra pas tjetrës sollën ftohjen e marrëdhënieve mes tij dhe gruas, derisa përfunduan në ngjarjen tragjike. Paraprakisht pohohet se ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes dhe është lëshuar urdhërndalimi, ndërsa në ditët në vazhdim pritet që të dërgohet në gjykatë, ku do i caktohet masa e sigurisë. Gjithashtu, pohohet se i arrestuari e ka pranuar autorësinë për krimin, madje duke u dorëzuar policëve në momentin arrestimit edhe thikën me të cilën qëlloi bashkëshorten. Ndërsa u shpjegoi me detaje edhe të gjithë mënyrën se si ka ndodhur ngjarja tragjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›