Hyn për të ndarë, plagoset shqiptari
ITALI - Një shqiptar 38-vjeçar ka marrë plagë të rënda mbrëmjen e djeshme në një lokal të qytetit të Milanos. Sipas formatit të gazetës italiane "Corriere della Sera" në internet, mësohet se shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është goditur me një thikë në mushkëri. Gazeta shkruante dje se mjekët italianë po bëjnë gjithçka që gjendja e shqiptarit të përmirësohet. Sipas hetimeve të para të policisë, mësohet se ngjarja ka ndodhur në pjesën e jashtme të lokalit në Milano, ndërsa në dëshminë e tij dhënë policisë pak orë pas ngjarjes, 38-vjeçari shqiptar ka treguar se plagën e mori në momentin, që po tentonte të ndante një grup amerikano-latinësh, të cilët po përlesheshin mes tyre. Policia dhe autoritetet italiane kanë filluar hetimet, por ende nuk është bërë e mundur të ndalohet ndonjë person për plagosjen e shqiptarit.