Buxheti, asnjë lek për sigurinë e Krimeve të Rënda
19/12/2004 TIRANË – Viti 2005 që është në prag, duket se do t'i fusë prokurorët dhe gjyqtarët e Krimeve të Rënda në pesimizëm. Kanë një vit punë në këtë sektor të vështirë. Janë të ekspozuar më shumë ndaj krimit se sa pjesa tjetër e shoqërisë dhe shprehen se janë të pambrojtur. Janë vendosur në këtë post për të dhënë drejtësi. Një vit premtime dhe asgjë e realizuar. Prokurorët dhe gjyqtarët shprehen se edhe këtë vit në buxhet nuk është përcaktuar asnjë fond i veçantë për sigurimin e jetesës. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e ardhur nga rrethet në Tiranë, pas emërimit për në prokurorinë dhe gjykatën e krimeve të rënda, vazhdojnë të shpresojnë se një ditë do të çelet fond për rehabilitimin e tyre. Prokurorët por edhe gjyqtarët nuk e kanë të vështirë të shprehen se punojnë në kushte të pasigurta, madje edhe familjet i kanë në një status të tillë. Banojnë që të gjithë me qira. Prokurorët Përparim Kulluri, ardhur nga prokuroria e Lushnjës, Anton Martini po nga kjo prokurori, Behar Dibra ardhur nga Shkodra, e shumë të tjerë janë vendosur në shtëpi me qira. Ajo që mund të përmendim është fakti se janë familjarë dhe shprehen se banojnë në periferi, atje ku qiratë janë më të vogla. Prokurorët tregojnë se u është premtuar për dhënien e kredive shtetërore, por deri tani nuk është bërë asgjë. E njëjta situatë ndodhet edhe te gjyqtarët. Që të gjithë janë nga rrethet dhe pothuajse qëndrojnë me qira, duke futur edhe kryetarin e Gjykatës. Siguria është ajo që i shqetëson edhe më shumë. Është një nga gjykatat që deri tani ka dhënë vendime me burgim të përjetshëm. Janë në rrezik të përditshëm. Kështu janë edhe prokurorët. Jo të gjithë prokurorët kanë roje me vete. Madje, edhe makinat u mungojnë. Shpesh presin njëri–tjetrin, pasi përfundon një gjyq për të shkuar në prokurori. Për t'u përmendur është edhe fakti se, gjyqtarja Etleva Deda, çdo ditë e bën rrugën Durrës-Tiranë dhe anasjelltas me autobus. Tregon se shpesh në autobus qëllon të ulet afër familjarëve të të pandehurve që ajo gjykon. Nuk e fsheh se ndonjëherë ndihet edhe keq, por është e detyruar të udhëtojë. Por pasiguria shtohet kur gjyqtarët vijnë në punë dhe u duhet të futen në një ambient të pasigurt. Vazhdojnë të qëndrojnë ende në katin e katërt të Gjykatës së Tiranës. Kryetari i Gjykatës për Krime të Rënda, Sandër Simoni, tha se fillimi i punës në godinën e re që është në rregullim e sipër, do të jetë pak i vonuar. Dje është dhënë urdhri që kati i parë dhe i dytë i godinës ku qëndrojnë ende forcat e RENEA-s, të boshatiset. Këto forca do të shpërngulen në Yzberisht. Pritet që në fillim të marsit, Krimet e Rënda të sistemohen në godinën e re pranë Burgut 313-të.