E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sekti, nën survejim 15 "kamikazë" shqiptarë

19/12/2004  

Krishtlindjet sjellin alarmin dhe gadishmërinë e shërbimeve. Grupi përbëhet nga 20-30-vjeçarë

Frikë dhe dyshim në shërbimet sekrete. Një grup të rinjsh të diplomuar për teologji, pjesa më e madhe janë nën vëzhgim si një grup i mundshëm për kryerjen e akteve kriminale, e për më tepër me shënjestër institucione dhe seli diplomatike. Dyshohet se kemi të bëjmë me një sekt fetar, një rrymë e importuar nga vendet e botës islamike, ku është bërë dhe shkollimi i krerëve të këtyre të dyshuarve. Takimet e tyre shpesh bëhen në vendet e kultit në Tiranë, por dhe në adresa të tjera që humbasin gjurmët.

Festat

Festat e fundvitit shkundin shërbimet sekrete. Frika nga sulmet terroriste në legatat e huaja akredituar në Tiranë, shtyn përgjegjësit e sigurisë të vënë në survejim grupin shqiptar të të dyshuarve. E veçanta e kësaj liste është fakti se, asnjë prej tyre nuk rezulton i huaj. Janë të gjithë vendas dhe i përkasin moshës 20-30-vjeçare. Deri në përfundim të festave, të dyshuarit do të mbikëqyren në të gjitha mënyrat dhe format. Identitetet e tyre ruhen me fanatizëm nga agjentët sekretë. Por, ata saktësojnë se skedimi i tyre është një nga veprimet e para që është bërë.

Lista

Fundviti ofron shumë festa, duke nisur me Krishtlindjet dhe ndërrimin e moteve, festa këto që nuk njihen nga myslimanët e devotshëm. Ndërsa këto ditë kalojnë si të zakonshme për ta, diplomatët e huaj perëndimorë kremtojnë në selitë e tyre. Kaq u mjafton ithtarëve të përbetuar të fesë islame, për të provokuar një sulm të mundshëm në ndonjë nga vendqëndrimet e tyre. Burime të besueshme nga Shërbimi Informativ Shtetëror, bëjnë të ditur se në kuadrin e zhvillimit në kushtet e sigurisë së festave që na presin, agjentët e posaçëm janë marrë me hartimin e një liste të dyshuarish, që kanë nisur të mbahen sakaq në vëzhgim të plotë. Janë të rinj që paraqesin rrezikshmëri, nëse aktivizohen në veprime konkrete, e kjo jo vetëm për ambasadat e huaja në kryeqytetin shqiptar, apo për objekte të tjera të kultit. Grupi i të rinjve ndiqet në çdo veprimtari dhe aktivitet ditor. Sipas burimeve, mbajtja e tyre nën kontroll është mjaft e rëndësishme për SHISH-in, i cili ka marrë përsipër garantimin e rendit dhe qetësisë për të gjithë institucionet vendase e të huaja.

Grupi

Ata janë të gjithë nga 20-30 vjeç. E përbashkëta e të dyshuarve është fakti se janë pa përjashtim shqiptarë. Në ndryshim nga ndonjë rast i mëparshëm, kur agjentëve sekretë u është dashur të gjurmojnë ndonjë shtetas të huaj, kësaj radhe e kanë më të thjeshtë se asnjëherë. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se të dyshuarit frekuentojnë të njëjtin objekt kulti në kryeqytet dhe të shumta janë gjasat të kenë një sekt tejet fanatik të fesë tyre. Ndonëse burimet refuzojnë të deklarojnë vendin ku mblidhen të rinjtë, mësohet se ndërtesa nuk të jep asnjë përshtypje si fole e dyshimtë. Për t'u rikthyer sërish tek argumenti, ndjekësit ligjorë të këtyre personave nuk përjashtojnë mundësinë e drejtimit të lëvizjeve të tyre nga të huajt. Anipse janë zhdukur momentalisht nga qarkullimi, një numër i madh predikuesish myslimanë, mbajnë lidhje të rregullta telefonike me nxënësit shqiptarë. "Ndoshta, mësuesit e zellshëm mund të japin direktiva në raste të papritura, duke shkaktuar surpriza të pakëndshme dhe me pasoja. Por, ne kemi dhe problem gjuhën arabe, pasi na mungojnë njohës të mirë të saj, brenda radhëve të agjentëve. Kësisoj, nuk na mbetet tjetër veçse të vijojnë survejimin e pandërprerë të të dyshuarve, edhe pse ata mund të mos jenë të implikuar thellë në këto çështje", përfundojnë burimet.

Ambasadat dhe masat e sigurisë

Prej më tepër se 2 muajsh, të gjitha ambasadat perëndimore në Tiranë ruhen me një numër më të madh rojesh. Sipas një informacioni të dhënë nga Shërbimi Informativ Shtetëror, selitë diplomatike mund të bëheshin objekt i sulmeve terroriste. Ndonëse Ministria e Rendit Publik nuk mundi ta konfirmonte këtë informacion me burimet e saj, u detyrua ta merrte si të mirëqenë. Nuk dihet ende dhe sa kohë do të vijojë ruajtja e ambasadave me shërbime të përforcuara, pasi, kjo varet sërish nga sinjalet e agjentëve sekretë. Sakaq, një muaj pas zbatimit të masave të sigurisë, Ministria e Jashtme u dërgoi ambasadave protokollin përkatës. Të huajt informoheshin me kushtet e reja të sigurisë, që nga shoqërimi me makinat e policisë gjatë lëvizjeve në Tiranë e rrethe si dhe rregulloren për lejen e armëve. F.B

Të diplomuarit në Lindje

Si të mos mjaftonte vetëm përforcimi i masave të sigurisë ndaj ambasadave të huaja, agjentët sekretë nisën hartimin e dosjeve për të rinjtë shqiptarë, diplomuar në universitetet e Lindjes. Burimet u shprehën asokohe se laureatët kishin mbajtur lidhje shoqërore gjatë periudhës së studimeve me të dyshuar si terroristë. Sinjali për ta ishte përcjellë nga shërbimet inteligjente të shteteve perëndimore. Shumica e pjesëtarëve të listës kanë përfunduar Fakultetin e Teologjisë, por nuk mungojnë dhe rastet kur të dyshuarit si të lidhur me kamikazët, janë aktualisht inxhinierë apo ekonomistë. Një pjesë e mirë e tyre vijonte të ruante kontaktet me miqtë e vjetër në vendet e Lindjes. Por, megjithë përgjimet telefonike, agjentët nuk kanë mundur të nxjerrin ndonjë të dhënë të vlefshme që i implikon në çështje

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›