Buxheti dështon për herë të dytë
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Dështon për herë të dytë brenda 1 jave mbledhja e Këshillit Bashkiak të Korçës. Këshilltarët e djathtë nuk pranuan të votojnë projektbuxhetin e bashkisë, nëse kjo e fundit nuk u jep më parë tabelat e realizimit të treguesve të buxhetit të vitit të kaluar. Kryebashkiaku Niko Peleshi u shpreh se në mbledhjen e ardhshme, e cila u la të martën që vjen, do t'u vërë në dispozicion tabelat treguese. Derisa këshilltarët e djathtë të kenë në dorë këto tabela, si dhe kohën e nevojshme për të bërë studimin dhe debatet në lidhje me ndonjë paqartësi në to, buxheti i bashkisë duket se nuk do të votohet. Në rendin e ditës, në mbledhjen e djeshme ishte shqyrtimi i tre elementëve të buxhetit për vitin 2009: Diskutimi e miratimi i paketës fiskale, të strukturës së Bashkisë e pagave të administratës, si dhe prioritetet e investimeve. Tre këshilltarët e LSI-së, para se të fillonte mbledhja deklaruan për median se ata kanë qenë dhe janë pro votimit të projektbuxhetit. Sipas tyre, gjithë zhurma e bërë disa ditë më parë ishte një lojë mediatike e forcave politike të interesuara për të prishur imazhin e LSI-së. Pas kësaj deklarate të majtët siguruan maxhorancën vendimmarrëse prej 18 këshilltarësh, kundrejt 17-të që kishte grupimi i djathtë. Por asnjë nga pikat e rendit të ditës që përbënte element të buxhetit nuk u diskutua e miratua, mbasi këshilltarët e PD-së kërkuan tabelat e realizimeve të treguesve financiarë të vitit të kaluar. "Në emër të grupit që përfaqësoj, propozoj që mbledhja të ndërpritet dhe të vazhdojë javën tjetër, mbasi ne ende nuk kemi në dorë tabelat e realizimit të treguesve të buxhetit, të cilat duhet t'i analizojmë dhe mbi bazën e realizimeve apo mosrealizimeve të tyre të përcaktojmë treguesit e buxhetit të vitit në vazhdim", u shpreh kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë, Pëllumb Beqiri. "Kjo mbledhje, - u shpreh Beqiri, të fillohet nga analiza vjetore e vitit të kaluar dhe më pas nga pikat e rendit të ditës që ishin planifikuar për t'u diskutuar e miratuar". Ky propozim u kundërshtua nga grupi i këshilltarëve të majtë. Por të djathtët u larguan më pas nga mbledhja. Pas tyre, për mungesë të kuorumit prej 3/5-ve edhe këshilltarët e majtë u detyruan të pranojnë bllokimin e diskutimit e miratimit të elementëve përbërës të buxhetit të 2009-ës.