E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti, gropa arrin në 6.9 miliardë lekë

26/01/2010  Komisioni i Ekonomisë miraton aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e vjetshëm
Për 2009-n sigurimet shoqërore mblodhën 3.7 miliardë lekë më pak
Kontributet e sigurimeve shoqërore kanë krijuar një gropë të madhe në buxhetin e shtetit për vitin 2009, që llogaritet në 3.7 miliardë lekë të parealizuara, nga 6.9 miliardë lekë që është në total mosrealizimi i të ardhurave në buxhet. Pjesa tjetër janë të ardhura të parealizuara nga administrata tatimore. Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar dje aktin normativ “Për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2009” ku janë bërë prezente të gjitha shifrat dhe duke i hapur rrugën dërgimit të tij në seancë plenare.
Akti normativ
Zëvendësministri i Financave shpjegoi se mosrealizimi i të ardhurave ka ardhur si pasojë e ndikimit të krizës ekonomike botërore, e cila në vendin tonë është reflektuar me ulje të eksporteve dhe rënie të kreditimit. “Shpenzimet për asistencën sociale rriten me rreth 400 milionë lekë, si rrjedhojë e financimit të paketës së ndihmës për personat me aftësi të kufizuar. Shpenzimet e personelit rriten me rreth 245 milionë lekë për arsimtarët dhe për Policinë e Burgjeve për të përballuar efektet në rritjen e pagave dhe shpenzimet e tjera operative me rreth 104 milionë lekë, si rrjedhojë e ndikimit të kursit të këmbimit në shpenzimet për përfaqësitë diplomatike. Gjithashtu, shpenzimet për mbrojtjen sociale të ushtarakëve ulen me rreth 215 milionë lekë si rrjedhojë e moshyrjes në fuqi të ligjit për ushtarakët”,- ka deklaruar Nezim Aldeda, zëvendësministër i Financave. Në aktin normativ parashikohet edhe rialokimi i fondeve të papërdorura nga disa institucione, veçanërisht nga prokurimet publike.
Rishikimi i dytë
Ministria e Financave rialokoi në shtator të vitit të kaluar 10 miliardë lekë për projektet e rrugëve nacionale, fonde që ministritë nuk i tenderuan. Rishikimi i buxhetit ekzistues synonte të ulte presionin e shpenzimeve në fund të vitit. Sipas këtyre ndryshimeve të miratuara, në buxhetin e rishikuar të vitit 2009 u parashikuan 100.556 milionë lekë për investime publike me një rritje prej 10.120 milionë lekësh kundrejt buxhetit fillestar, ose 8.55 për qind e PBB-së, nga të cilat 81 milionë lekë me financim të brendshëm dhe 19.556 me financim të huaj. Në këto ndryshime, deficiti buxhetor në buxhetin e rishikuar rezulton në masën 74.790 milionë lekë, ose 6.4 për qind e PBB-së. Ndërkohë që është parashikuar një nivel i huamarrjes së brendshme në masën 40.424 milionë lekë ose 3.4 për qind e PBB-së.
Kredia 300 milionë euro
Ministria e Financave po kërkon në tregun ndërkombëtar një kredi prej 300 milionë eurosh. Burimet e këtij dikasteri njoftojnë se kjo shumë do të përdoret për financimin e deficitit të buxhetit 2010. Fillimisht është hapur “gara” për të gjetur menaxherin. Nga kjo shumë, 200 milionë euro pritet të shkojnë për pagesën e kredisë sindikale e cila është marrë një vit më parë. Ministria e Financave u ka bërë thirrje të gjitha bankave të mëdha dhe bankave të investimeve që të marrin në konsideratë kërkesën për këtë borxh. Qeveria pritet që të financoje pjesën më të madhe të deficitit buxhetor me borxh nga tregu ndërkombëtar. “Shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 është një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë”, - është shprehur pak kohë më parë ministri i Financave. Për të dalë nga kjo situatë qeveria do të zbatojë një strategji të re duke kërkuar ndihmën e institucioneve ndërkombëtare për financimin e projekteve të mëdha publike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›