Poçet kursyese

Në promovimin e projektit për poçet efiçiente, zyrtarë të Qeverisë pohuan se kursimi i energjisë nga implementimi i këtij projekti parashihet të jetë diku rreth 30 për qind. Kjo kampanjë u cilësua një hap i rëndësishëm në vetëdijesimin e qytetarëve për përdorim të këtyre poçeve, të cilat kursejnë energjinë. Ministria e Energjisë dhe Minierave dhe GTZ kanë prezantuar projektin për poçet efiçiente, që ka të bëjë me kursimin e energjisë elektrike dhe zvogëlim të dyoksidit të karbonit.
Bashkëpunim ky, i cili është vazhdimësi e projekteve të bashkëfinancuara nga qeveria gjermane. Projekti përkon edhe me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të miratuar në tetor të vitit 2009, ku të gjitha institucionet publike, nga shkurti i vitit 2010, janë të obliguara që në mjediset e tyre, të përdorin për ndriçim poçet efiçiente.
Justina Pula- Shiroka, ministre e Energjisë dhe Minierave (MEM) tha se qëllimi i këtij projekti është rritja e masave efiçiente, në mënyrë që konsumatorët të kuptojnë se duhet ta kursejnë energjinë elektrike. Komponenti kryesor i këtij projekti, sipas saj, është implementimi i masave të efiçiencës, përdorimi i poçeve efiçiente në objektet publike, e më vonë edhe në shtëpitë e konsumit të gjerë. “Komponenti i dytë ka të bëjë me trajnimin e auditorëve për energjinë efiçiente dhe komponenti i tretë një fushatë për vetëdijesimin e popullatës”, ka pohuar Pula. Sipas saj, rezultatet konkrete të këtij projekti për kursimin e energjisë, në secilin objekt do të dalin pas 2 ose 3 muajve, mirëpo planifikohet që kursimi i energjisë nga implementimi i këtij projekti do të jetë diku 30 për qind. Ndërsa sa i përket çmimit të poçeve, ajo tha se ata janë më të shtrenjtë se poçet e rëndomta, mirëpo konsumatorët kanë llogari që t’i përdorin ata, pasi që janë më të qëndrueshëm dhe kursejnë energji.
Efiçienca po ashtu, sipas Pulës, paraqet një komponent të rëndësishëm në politikat energjetike të BE-së. “Ky bashkëpunim me shtetin gjerman dhe GTZ-në paraqet një kontribut shumë të madh për të gjitha projektet në të ardhmen. Për shkak se shteti gjerman është ai që më së shumti i jep rëndësi kursimit të energjisë dhe burimeve të ripërtërishme”, ka pohuar Pula.
Gabrielle Becker, përfaqësuese e GTZ-së, tha se kjo kampanjë është një hap i rëndësishëm sa i përket kursimit të energjisë. Ngritja e vetëdijesimit për efiçiencë të energjisë, sipas saj, sjell benefite dhe për këtë duhet motivuar sektori komercial dhe ai privat që t’i ngritin masat e efiçiencës së energjisë.
“Vendimmarrësit dhe qytetarët, në të ardhmen duhet të shkojnë në drejtim të efiçiencës. Është një sfidë që t’i bindim njerëzit që t’i përdorin poçet efiçiente, por kjo kampanjë është që të bindet publiku se cili është përfitimi nga ndërrimi i këtyre poçeve”, ka pohuar Becker. Projekti për efiçiencë të energjisë do të kushtojë rreth 700 mijë euro dhe do të realizohet në tërë Kosovën.