Misteri Sharr Cem

Gjashtë muaj para se t`i skadojë kontrata e komercializimit, kompania zvicerane Holcim Group ka hequr dorë nga fabrika për prodhimin e çimentos, Sharr Cem. Kontratën që e ka pasur me këtë kompani ia ka shitur kompanisë greke - Titan, e cila deri më tani ka blerë pothuajse të gjitha çimentoret e rajonit.
Drejtori gjeneral i Sharr Beteiligungs GmbH, Patrick Stapfer, thotë se Titan ka shprehur interesim në vjeshtë të vitit 2009, për të blerë kontratën e Sharr Cemit.
Sipas tij, arsyeja kryesore që kanë hequr dorë nga tregu i Kosovës është për shkak se rezervat e lëndës së parë të çimentos pothuajse janë harxhuar dhe zgjerimi i mëtejmë i minierës së tanishme të çimentos nuk është aprovuar.
Ndërkaq, Express mëson se me këtë transaksion Titanit i është hapur rruga ta privatizojë Sharr Cemin, pasi që ka siguruar përkrahjen nga komercializuesi i deritashëm që mos ta ketë konkurrent në tenderim.
Burime të gazetës thonë se Titan nuk është i interesuar për rezervat e çimentos në Kosovë, por për objektin të cilin do ta shfrytëzojë për përpunimin e çimentos.
“Titani i ka blerë të gjitha fabrikat e çimentos në rajon dhe në Kosovë e di që nuk ka rezerva mjaft. Këtu i duhet objekti për përpunim”, thotë ky burim.
Ndërkaq, drejtori i tanishëm, Patrick Stapfer, thotë se nuk kanë hesap të vazhdojnë më tutje të operojnë në Kosovë dhe kjo është zgjidhje e mirë që garanton funksionim të qëndrueshëm të Sharr Cemit, duke pasur parasysh strategjinë më të përshtatshme me Titanin.
“Për të vazhduar me punë të qëndrueshme të Sharr Çimentores dhe për të qenë në gjendje të konkurrojmë me fabrikën moderne të çimentos së Shqipërisë, kërkohen investime të mëdha. Mirëpo, kjo kërkon perspektivë afatgjatë, e cila duket e pasigurt, derisa disa përpjekje për privatizim kanë dështuar dhe kontrata e komercializimit është e limituar”, thekson Stapfer.
Ai thotë se gjatë viteve të kaluara, rëndësia strategjike e Sharr Cemit gradualisht ka rënë, krahas forcimit të pozitës së Holcimit në tregun e Evropës Juglindore. Tani, për shkak të gjendjes ekonomike në Evropën Jugore dhe kërkesës së ulët për çimento, si rezultat i mbiprodhimit në rajon, Stapfer pohon se Holcim ka vendosur ta pranojë ofertën e Titanit për të marrë përsipër kontratën e mbetur.
Arritjen e marrëveshjes për bartje të kontratës së komercializimit te kompania greke, e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Holcim, në bazë të marrëveshjes që ka arritur për shitjen e Sharr Betelingungs GMBH me Titan Group, ka parashtruar më herët kërkesën për t’ia dhënë marrëveshjen me qira Titanit, ashtu siç parashihet me kontratën për Komercializim, të nënshkruar në mes të Sharr Beleingugns GMBH dhe UNMIK-ut, në vitin 2000”, thonë zyrtarët për informim të AKP-së.
Bordi i Drejtorëve i AKP-së, e ka javën e kaluar këtë transaksion, ndërsa sindikalistët e pavarur të Ndërtimtarisë dhe Projektimit të Kosovës kanë kundërshtuar marrëveshjen. Agjencia Kosovare e Privatizimit, sipas tyre, ka bërë marrëveshje të fshehtë me komercializuesin.
Avni Ajdini, kryetar i Degës së SP e Ndërtimtarisë dhe Projektimit të Kosovës, thotë se me këtë veprim janë shkelur konventat ndërkombëtare të punëtorëve-ILO-së dhe Konventa Universale për të drejtat e njeriut, pasi sipas tyre, nuk është pyetur fare as sindikata, e as punëtorët.
“Këto gjëra janë duke u përgatitur për terren korruptimi dhe për privatizim të egër, pa kritere, që nesër Titanit t’ia mundësojnë blerjen e çimentores me çmim që individët ia caktojnë dhe ia pranojnë investimet e bëra që janë të rreme dhe të fryra”, thekson Ajdini.
Sindikalistët kanë kërkuar që të intervenojë Kuvendi i Kosovës në këtë rast, pasi që Sharrcemi vlerësohet një prej ndërmarrjeve shoqërore të komercializuara më të suksesshme. Kjo ndërmarrje është shpallur dy herë si top ndërmarrja e vitit në Kosovë, në të cilën janë duke punuar 500 punëtorë, prej të cilëve 137 punëtorë marrin pagë me 60 për qind sipas marrëveshjes me pronarin. Sharr Cem është privatizuar në vitin 2000 dhe kontrata aktuale në bazë të marrëveshjes skadon më 13 qershor 2010.