E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i 2008-s, zonat e Tiranës ku do të ketë më shumë investime

Bashkia shpërndan buxhetin për vitin 2008, duke u bazuar në nevojat që ka kryeqyteti. Kryebashkiaku Edi Rama prezantoi dje në Këshillin Bashkiak Projektbuxhetin e vitit 2008 dhe shpërndarjen e tij në të gjitha fushat më emergjente të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës e ka diskutuar me qytetarët shpërndarjen e buxhetit, duke u fokusuar te nevojat që kanë ata në çdo zonë banimi. Pas 22 seancash dëgjimi në njësitë bashkiake të kryeqytetit, shpenzimet e përgjithshme janë ndarë në masën 7,7 miliardë lekë ose 20,6 për qind më shumë se në vitin 2007. Ndërsa shpenzimet operative dhe të shërbimeve publike janë në masën 4,6 miliardë lekë ose 15,8 për qind më shumë se në vitin 2007. Shpenzimet kapitale janë 3,1 miliardë lekë ose 29 për qind më shumë se në vitin 2007. Shpenzimet kapitale të financuara me kredi janë 17 milionë euro në zbatim dhe 20 milionë euro të tjera po negociohen me institucionet financiare ndërkombëtare.
Buxheti do të kalojë për investime publike në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, që zë dhe vendin e parë në listën e kërkesave të qytetarëve, ku do të rikonstruktohen disa rrugë, përfshi edhe projektin e Unazës së Madhe. Buxheti për sistemin arsimor parauniversitar parashikon 1,4 miliardë lekë për rikonstruksionin e tri palestrave në shkolla dhe rikonstruksionin e dy kopshteve. Po kështu, do të vihet në zbatim projekti që financohet nga kredia e Bankës së Këshillit të Europës për ndërtimin e 5 shkollave të reja dhe rikonstruksionin e 12 shkollave ekzistuese. Në këtë program parashikohet edhe vazhdimi i dhënies së stimulit për nxënësit e dalluar në sistemin parauniversitar. Për shërbimet sociale dhe strehim është parashikuar një fond prej 693 milionë lekësh, të cilat do të shkojnë për ndërtimin e tri qendrave komunitare, për ndërtimin e 350 banesave sociale nga kredia e Bankës së Këshillit të Europës. Gjithashtu parashikohen “bonuset e qirasë”, “bonuset për të sapolindurit” dhe “ndihma ekonomike me punë në komunitet”. Një pjesë e investimeve do të shkojnë për investime në transportin publik, për ndërtimin e parkimeve të nëndheshme, sinjalistikës etj. Projekti për investimet që do të bëhen në fushën e kulturës përfshin rregullimin e kinema “Dajtit”, ndërtimin e një qendre multidisiplinare me internet, bibliotekë, kinema dhe me skenë shfaqjesh për të gjithë, por kryesisht me fokus për shkollat e mesme. Programi i investimeve në sport, i parashikuar nga bashkia, përfshin një fond prej 39 milionë lekësh, ku do të bëhen disa ndërtime që do të funksionojnë për të rinjtë e komunitetit. Në Këshillin Bashkiak në rend të ditës për diskutim ka pasur edhe një numër çështjesh të tjera, si taksa për qarkullimin e makinave në disa zona. Por asgjë nuk është miratuar sepse ka pasur debate mes anëtarëve dhe mbledhja është shtyrë për një ditë tjetër.
Emanuela Sako

Shpërndarja e buxhetit
Programi i Investimeve në Infrastrukturën Rrugore, fondi i projektuar 6,7 miliardë lekë
Programi i Investimeve në Sistemin Arsimor, fondi i projektuar 1,4 miliardë lekë
Programi i Investimeve në Shërbimet Sociale dhe Strehim, fondi i projektuar 693 milionë lekë
Programi i Investimeve në Shërbimet Publike, fondi i projektuar për gjelbërimin 1.1 miliardë lekë, fondi i projektuar për pastrimin e qytetit 560 milionë lekë
Programi i Investimeve në Transportin Publik, fondi i projektuar 52 milionë lekë
Programi i Investimeve në Kulturë, fondi i projektuar 25,7 milionë lekë
Programi i Investimeve në Sport, fondi i projektuar 39 milionë lekë

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›