Dy viktima për 5 minuta, shkak gjakmarrja
SHKODËR – Një fjalë goje është bërë shkas për një vrasje, por pa kaluar as 5 minuta është marrë “gjaku”, por kësaj radhe hakmarrja ka rënë mbi një grua, e cila ishte edhe autorja e krimit. Burimet zyrtare të policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se “40-vjeçarja Luce Rrethi ka vrarë në rrugën e fshatit 48-vjeçarin Nikoll Marlocaj. Më pas ky ka qenë edhe momenti kur të afërmit e viktimës 48-vjeçare kanë shkuar pranë shtëpisë së Luce Rrethit duke e ekzekutuar edhe këtë të fundit në derë të shtëpisë. Dy ngjarjet e rënda ndodhën pasditen e djeshme në rrethin e Shkodrës, ndërkohë që policia ka arrestuar autorët e dyshuar. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se "dy vrasjet ndodhën në fshatin Trush të komunës Berdicë në rrethin e Shkodrës". Të njëjtat burime thanë se fillimisht mbeti i vrarë me armë zjarri Nikoll Malocaj, rreth 48-vjeç, banor i fshatit Trush dhe pas 5 minutash u godit për vdekje, pranë shtëpisë së saj, Luçe Rrethi, rreth 40 vjeç. Mësohet se policia ka vënë në pranga Lazër Rrethin, që dyshohet për vrasjen e Nikoll Malocajt. Në pranga ka rënë dhe Gjergj Malocaj, i dyshuar për vrasjen e Luçe Rrethit. Nga hetimet paraprake mendohet se vrasja e dy personave ka ndodhur për motive të dobëta. Policia nuk jep detaje të tjera, por nënvizoi se ekspertët e komisariatit dhe të Prokurorisë së rrethit Shkodër ndodhen ende në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të dy krimeve.
23 Shkurt 2008