Mbeten në qeli 7 të arrestuarit e “Qiririt të ndezur”
VLORË - Gjykata e Vlorës dha masën e sigurisë “burg pa afat” ndaj shtatë personave, të arrestuar tre ditë më parë si anëtarë të një grupi kriminal të trafikut të armëve dhe drogës, me destinacion Italinë, që vepronte prej mëse 10 vjetësh. Trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari, Vladimir Skënderi, vendosi këtë masë sigurie ndaj shtatë të akuzuarve në bazë të kërkesës së prokurorit Maksim Sotaj. Mësohet se masa e sigurisë u dha edhe ndaj dy shtetasve të shpallur në kërkim Azem e Ali Cimili, të cilët dyshohet se janë anëtarë të këtij grupi. Shtatë personat David Islamaj, 36 vjeç, nga fshati Drashovicë (Vlorë), Erjon Dulaj, 30 vjeç nga Vlora, Edison Begaj, 28 vjeç, nga fshati Kaninë (Vlorë), Eduard Marku, 32 vjeç nga Kavaja, Sokol Cimili, 25 vjeç, nga fshati Dërmënas (Fier), Albert Brahimaj, 36 vjeç nga Vlora dhe Brahim Cimili, 52 vjeç, nga fshati Dërmënas (Fier), u arrestuan tre ditë më parë gjatë operacionit të koduar “Qiri i ndezur”, ndërmarrë nga policia e Vlorës në bashkëpunim me sektorin e operacioneve speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me Drejtorinë e Policisë së Fierit.
23 Shkurt 2008