Opozita në dy fronte: PS-PSD dhe LSI-PDS-PAD
Meta: “Koalicioni ‘E majta për integrim’ sjell të majtën në pushtet”. Braçe: “Interesi i PS-së është bashkimi dhe jo ndarja”
Shaban Sulçe
E majta shqiptare përfundimisht kristalizohet me dy koalicione. Vendimit të LSI-së për të krijuar koalicionin “E majta për integrim” i është përgjigjur pozitivisht Aleanca Demokratike dhe Partia Demokracia Sociale, ndërkohë që nga ana tjetër Partia Socialdemokrate ka konfirmuar mbështetjen e saj ndaj Partisë Socialiste. Dita e djeshme ka sjellë reagime të shumta brenda kampit të majtë nga drejtuesit e të pesë partive opozitare, të cilat tashmë janë pozicionuar në dy kampe për shkak të mosmarrëveshjeve për reformën zgjedhore.
Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në një konferencë për shtyp të dhënë në qytetin e Durrësit ka sqaruar se koalicioni “E majta për integrim” nuk ka për qëllim kundërvënien ndaj PS-së, por do t’i japë më shumë gjallëri të majtës dhe opozitës shqiptare. “Koalicioni ‘E majta për integrim’ është një koalicion që vjen nga domosdoshmëria e një zbrazëtie që është krijuar në politikën opozitare, e sidomos të majtë, që është krijuar në politikën opozitare nga inekzistenca e koalicionit të mëparshëm. Lëvizja Socialiste për Integrim dëshiron t’ia bëjë të qartë të gjithë opinionit publik se duke afirmuar idenë e këtij koalicioni të ri nuk ka si qëllim vendosjen kundër Partisë Socialiste dhe forcave të tjera të majta. Përkundrazi, ka si qëllim që të përfaqësojë dhe të bashkojë në këtë koalicion shumë më tepër forca të majta, shumë më tepër faktorë të së majtës, shumë më tepër qytetarë, të cilët ndihen të papërfaqësuar nga lidershipi aktual i Partisë Socialiste”, - tha Meta. Ai tha se LSI-ja nuk është përfaqësuese e politikës së vjetër, por përfaqësuese e denjë e së majtës dhe misionare e mbrojtjes së votës në Shqipëri.
Braçe
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar se interesi i PS-së është bashkimi jo vetëm i forcave të majta, por edhe i të gjithë shqiptarëve për të larguar njëherë e mirë qeverisjen e dështuar të Sali Berishës. “Ajo që dua të them lidhet me faktin se ne jemi të interesuar për bashkim jo thjesht të partive politike apo politikanëve, por për interesat e të gjithë shqiptarëve kundër një qeverisjeje antipopullore, kundër një qeverisjeje që nuk po u shërben interesave të qytetarëve. Nevoja për bashkim është më e gjerë sesa nevoja e bashkimit të katër apo pesë partive”, - tha Braçe, i cili mohoi akuzat për marrëveshjen PD-PS për reformën zgjedhore.
PDS
Partia Demokracia Sociale ka zhvilluar dje mbledhjen e saj të kryesisë ku në epiqendër të diskutimeve kanë qenë zhvillimet brenda spektrit të majtë. Sipas PDS-së, opozita ka ricikluar krizën në gjirin e saj dhe po rrezikon humbjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Për këtë, partia e drejtuar nga Paskal Milo ka shprehur keqardhjen dhe mospajtimin e saj ndaj qëndrimeve që Partia Socialiste po mban për reformën zgjedhore, ndërkohë që PDS-ja shprehu qëndrimin mbështetës ndaj LSI-së.
Gjinushi
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, tha se LSI-ja nuk duhet të bëjë lojëra me përçarjen e së majtës, pasi një gjë e tillë mund të ndikojë në humbjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2009. “LSI-ja të mos bëjë më lojën e çarjes së të majtës, sepse kjo është paguar goxha shtrenjë një herë”, - tha Gjinushi.
Ceka
Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, tha se PAD-ja i bashkohet LSI-së dhe koalicionit të shpallur prej saj “E majta për integrim”. Kjo pasi, sipas Cekës, PS-ja po abuzon me çështjen e reformës zgjedhore. "PAD-ja i bashkohet iniciativës së LSI-së për të krijuar një front që nga e majta deri tek e djathta, për një reformë të ndershme, transparente, një reformë që do të siguronte unitetin e vendit dhe jo përçarjen apo parcelizimin, siç tenton ligji ose projekti i PS-së", - tha Ceka.
23 Shkurt 2008