E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja me Gramoz Ruçin, braktis marrëzinë e Edi Ramës

Deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve janë tërhequr dje nga teza staliniste e rinumërimit të votave, duke pranuar papajtueshmërinë e kërkesës me ligjin, duke kërkuar një konsensus më të ngushtë me deputetët demokratë, lidhur me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe verifikimin e listave zgjedhore. Teza e mbështetur nga Gramoz Ruçi do të shndërrohet sot në një amendament ligjor, por ende Edi Rama s’është shprehur nëse e pranon qendrimin e deputetëve të tij

Mazhoranca ka aprovuar në parim nismën e Partisë Socialiste që synon amendimin e ligjit aktual për komisionet hetimore parlamentare. Miratimi i djeshëm, përpos zbutjes së qëndrimit të opozitës, ka zbuluar “konfiguracionin” e ri të deputetëve të PS-së, në raport me kryetarin e partisë së tyre. Ndërsa deputetët e PS-së, anëtarë të Komisionit parlamentar, i janë përafruar dje, qëndrimit të Gramoz Ruçit, kryetarit të grupit të tyre parlamentar, Edi Rama, me thirrjet e veta për protesta ka mbetur i vetëm në anën tjetër.
Gjatë diskutimeve të djeshme spikati edhe tërheqja dhe qëndrim i ri i selisë rozë në lidhje me atë që kryesocialisti Rama në këto 7 muaj, e ka cilësuar si krejtësisht të panegociueshme, rinumërimin e votave të 28 qershorit. Fatmir Xhafa në diskutimin e tij ka deklaruar se nëse hapja e kutive të votave nuk është e mundur, atëherë mund të hapen kutitë e materialeve zgjedhore.
Thirrjes së Pandeli Majkos për mirëbesim në zgjidhjen e ngërçit politik, kreu i komisionit të ligjeve Rusmali i është përgjigjur optimist se mazhoranca është gati për kompromisin që sigurisht duhet të jetë i bazuar në ligjet në fuqi, ndërsa shtoi se me nismën në fjalë kryesocialisti kërkon të marrë kompetencat e të gjithëpushtetshmit.
Pas miratimit në parim të draftit të Partisë Socialiste, komisioni i ligjeve do ta shqyrtojë atë nen për nen në mbledhjen e të martës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›