E Diel, 1 Nëntor 2026

Hashim Thaçi përshëndet vizitën e Metës në Beograd

Zëvendëskryeministri Ilir Meta komunikon me mediat pas vizitës në Beograd dhe rikonfirmon se “E ardhmja e Kosovës është vetëm në BE”

“Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpunojnë pavarësisht dallimeve që i karakterizon për çështjen e Kosovës”. Kështu deklaroi dje në mesditë në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Jashtme, kreu i diplomacisë shqiptare Ilir Meta, dy ditë pas përfundimit të vizitës zyrtare në shtetin serb.
“Gjatë takimeve u shfaqën dallime rreth Kosovës. Megjithatë, Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpunojnë pavarësisht dallimeve që kanë rreth kësaj çështjeje. Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian ashtu sikurse dhe vendet e tjera të rajonit”, theksoi Meta gjatë konferencës për shtyp duke shtuar se “Kosova nuk është çështje bilaterale mes Serbisë e Shqipërisë”.
Meta siguroi gazetarët se ka diskutuar me homologun serb Vuk Jeremiç për çështjen e Kosovës, ku dhe dhanë qëndrimet e tyre.

Kosova mirëpret vizitën e Metës në Serbi
Gjatë vizitës së tij në Prizren, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i pyetur nga një gazetar i televizionit lokal, TV Prizreni, rreth opinionit të tij dhe të Qeverisë për vizitën e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në Serbi, Thaçi vlerësoi se kjo vizitë paraqet një hap pozitiv për ndërtimin e raporteve fqinjësore dhe stabilitetin në rajon, që do të reflektohet në raportet Serbi-Kosovë. Sipas Thaçit, kjo vizitë do të lehtësojë procesin e njohjes së Kosovës nga Serbia. Në vijim ai u shpreh se “ne duhet të gjithë të angazhohemi për ndërtimin e fqinjësisë së mirë ndërshtetërore, prandaj, është një mesazh i mirë për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe mendoj se është një mesazh që Beogradi të ndërtojë raporte të mira me shtetet që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. është një ndihmesë për Serbinë që më pas ta njohë shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës...”

Ilir Meta u kundërpërgjigjet akuzave të Pandeli Majkos
Në konferencën e djeshme për shtyp, shefi i diplomacisë shqiptare Ilir Meta, i dha përgjigje edhe akuzave të deputetit socialist Pandeli Majko, i cili është shprehur dy ditë më parë se vizita në Beograd u zhvillua në një moment të papërshtatshëm dhe se i shërben qartësisht interesave të Serbisë. Ilir Meta u shpreh se do të ishte më me vend të flitej për njerëz që e njohin mirë politikën e jashtme dhe kanë të qarta konceptet e saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›