E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i 2010-s përmbush projektet e ndërtimit të Shqipërisë evropiane – ambicioz në rritjen prej 12 % të të ardhurave

Deklaron kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD

Buxheti i vitit 2010, që pritet të miratohet nesër në qeveri, do të përmbushë të gjitha direktivat apo programin e mazhorancës të shpallur para qytetarëve gjatë fushatës elektorale. Vazhdimi i rritjes së pagave dhe pensioneve, rritja e investimeve infrastrukturore dhe hapja e vendeve të reja të punës, janë disa nga objektivat kryesore të buxhetit të vitit të ardhshëm. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha u shpreh para deputetëve se, buxheti i 2010-ës, përmbush projektet e ndërtimit të Shqipërisë evropiane.
“Mazhoranca po afron momentin më të rëndësishëm të veprimtarisë së saj vjetore, projektbuxheti për vitin 2010-të. Pa mëdyshje, ky është momenti më kulmor i veprimtarisë së një mazhorance. Ne e miratojmë projektbuxhetin këtë javë në qeveri dhe do ta sjellim për shqyrtim në Komisionet Parlamentare dhe Parlamentin në tërësi. Këtë vit, ligji i buxhetit hartohet mbi bazën e një ligji të ri organik që kjo mazhorancë e votoi para zgjedhjeve. Pra, hartohet me një kushtetutë të re buxhetore. Ky buxhet do të përmbushë plotësisht direktivat apo programin e mazhorancës të shpallur para qytetareve shqiptarë gjatë fushatës elektorale; do të mbështesë fuqishëm procesin më kryesor të vendit, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian; do të mbështesë të gjitha projektet që synojnë ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Buxheti i vitit 2010  është buxheti i një guximi të veçantë, sepse bazohet mbi parashikimin e rritjes së të ardhurave në vend prej 12 për qind. Kjo mund të jetë një nga qeveritë e vetme në botë, ndoshta e vetmja në Evropë, që parashikon rritje prej 12 për qind të të ardhurave”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se një vëmendje e veçantë në buxhetin e 2010-ës i kushtohet rritjes së pagave dhe pensioneve.
“Ne do të vazhdojnë me rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, sepse ne e kemi këtë politike kryesore; do të vazhdojmë me luftën e pamëshirë ndaj varfërisë dhe mjerimit; do të vazhdojmë me një standardizim të ri të ndihmës ekonomike. Në Shqipëri u bë rritje më e fuqishme e rrogave në tërë historinë e saj. Rritja e pagave në muajin maj ka qenë rritja më e madhe e rrogave që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Në Shqipëri projektet ecën me një shpejtësi të admirueshme. Absolutisht, edhe në Shqipëri ka pasur projektime dhe rrezatim të krizës ekonomike evropiane dhe botërore, kjo është e pamohueshme dhe do të ishte absurde të mendonim dhe të gjykonim ndryshe”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë kujtoi se rritja e tyre do të jetë progresiste dhe se në këtë proces nuk do të kenë impakt zërat kundër rritjes së tyre, që u vunë re edhe gjatë këtij viti.
“Kujtoni se sa shumë u protestua, u kërkua dhe u bë thirrje që të mos rrisnim rrogat. Kjo, për fat të keq, ndodhte në mënyrën më paradoksale nga ata që nuk duhet të ndodhte ndonjëherë. Të bëjë opozita thirrje për të mos rritur rrogat është gjëja më paradoksale. Në një aspekt, thirrjet për mos rritur rrogat nuk ishin krejt të pabaza”, shtoi kryeministri
Gjithashtu, shefi i ekzekutivit paralajmëroi se vitin e ardhshëm ndryshimet drejt modernizimit të infrastrukturës do të vazhdojnë me po të njëjtat ritme. Kryeministri tha se do të përfundojnë në kohë rekord, një seri projektesh madhore si boshti i jugut, segmenti Qafë-Plloçë-Qukës, rruga e Arbrit, rruga Tiranë-Elbasan etj,.
“Vitin që vjen angazhimet tona do të vazhdojnë. Ne do të vazhdojmë me projektet e mëdha, me rrugën e Arbrit, me boshtin e jugut, me boshtin Qafë Plloçë - Qukës dhe sapo të përfundojë projekti do të fillojë trajektorja më e shkurtër Tiranë – Elbasan për të bërë realitet, sa më shpejt të jetë e mundur, një ëndërr të fortë, të fuqishme, të drejtë dhe legjitime të qytetarëve të Elbasanit, për të ardhur në kryeqytetin e tyre në një kohë 20-25 minuta dhe për të ndjerë afërsinë gjeografike që kanë me kryeqytetin, por që i pengonte mali i Kërrabës. Tani do të jetë tuneli, i cili afron qytetin e Elbasanit, qytetin e dytë më të madh të vendit, me Tiranën, por afron dhe Korçën, Librazhdin, Pogradecin dhe pasi të ndërtohet Boshti i Jugut afron dhe Beratin, Tepelenën, Delvinën, Sarandën, Gjirokastrën me kryeqytetin e tyre dhe na bën të mundur të mbajmë dhe zotimin tonë që Tirana të arrihet me më pak se gjysmën e kohës që arrihet tani nga çdo pikë e vendit. Mendoj se në këtë mënyrë ndikojmë fuqishëm në procesin e zhvillimit të vendit”, tha kryeministri.
Berisha shtoi gjithashtu se buxheti i ardhshëm do të mbështesë fuqishëm reformën në shëndetësi.
Në vijim, kryeministri tha buxheti i 2010-ës ka nivelin e tij qendror dhe lokal, duke shtuar se njësitë vendore duhet të përgatisin buxhetin e tyre, duke u bazuar në të ardhurat që realizojnë dhe grantet që do të marrin. Berisha tha se për vitin 2010 grantet do të kenë një rritje shumë të ndjeshme ndërsa informoi se për herë të parë krijohen Fonde të Zhvillimit Rajonal, të cilat do të rrisin në mënyrë shumë të ndjeshme financimet për komunat, bashkitë dhe qarqet.
Lidhur me sajesat e opozitës dhe të Edi Ramës se qeveria tenton të cenojë autonominë e pushtetit vendor, Berisha tha se mazhorancat e reja që janë krijuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk do të përdoren për bllokimin e pushtetit vendor. 
“Maxhorancën ta përdorim për një shkallë shumë më të lartë përgjegjësie ndaj qytetarit,  për të mbushur sa më mirë kërkesat e tyre”, tha kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›