“Zgjedhja e Nikolin Jakës e pavlefshme, ai nuk ka qenë anëtar i institucionit”
Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti i konsideron të parregullta zgjedhjet në Dhomën e Tregtisë
Zgjedhja e Nikolin Jakës në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë është e parregullt dhe nuk mund të merret si e mirëqenë. Kështu ka deklaruar dje ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifit, përmes një letre drejtuar këtij institucioni.
Prifti nënvizon se Nikolin Jaka nuk ka qenë anëtar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e si i tillë, nuk meritonte të zgjidhej në krye të saj.
Në letrën e pavlefshmërisë së zgjedhjes së Jakës në krye të DHTI-së, thuhet ndër të tjera se pasi organi mbikëqyrës shqyrtoi vendimin e marrë për zgjedhjen e Jakës, vuri re sesi ky fakt nuk ishte fare në rendin e ditës së mbledhjes kur ai është zyrtarizuar.
Prifti thekson gjithashtu se Nikolin Jaka nuk rezulton i administruar gjatë procedurës së kandidimit. Në të tilla kushte, METE rithekson edhe njëherë se zgjedhja e Jakës nuk është aspak e rregullt dhe prandaj, ajo nuk qëndron e cilësohet e pavlefshme.
Nisur nga kjo METE përfundon se “duhet riparë vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë”.