“Tentativat e opozitës për të krijuar mosbesim në klimën politike s’i shërbejnë realitetit”
Kryeministri Berisha pret Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Ian Micallef
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Ian Mikalef. Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë të rëndësishme, kreu i ekzekutivit, Berisha, shprehu dhe njëherë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të forcuar autonominë e qeverisjes lokale, për t’i përkrahur ato financiarisht dhe me të gjitha mjetet, në mënyrë që të përmbushin misionin e tyre. Në këtë kontekst, kryeministri informoi Mikalef se gjatë mandatit qeverisës 2005-2009 granti për pushtetin lokal nga buxheti i shtetit u rrit tre herë.
Nga ana e tij, Presidenti Mikalef pasi uroi kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit dhe rizgjedhjen si Kryeministër dhe krijimin e kabinetit te ri qeveritar, vlerësoi vendosmërinë e tij dhe të qeverisë shqiptare për të forcuar autonominë e pushtetit lokal dhe për t’i mbështetur ato financiarisht dhe me të gjitha mënyrat në punën e tyre. “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu dhe të konstatoj një zhvillim të jashtëzakonshëm që është bërë në forcimin e autonomisë së pushtetit lokal dhe në përmbushjen nga ana e qeverisë e kritereve të Kartës Evropiane për vetqeverisjen Vendore. Kam konstatuar me kënaqësi zhvillime të jashtëzakonshme pozitive”, u shpreh ai, duke shtuar se, “Shqipëria është një vend shembull, ku qeveria ka bërë përpjekje dhe ka arritur rezultate për sa i përket forcimit të decentralizimit, plotësimit të kritereve të Kartës dhe mbështetjen që i është ofruar pushteteve lokale dhe rajonale”.
Në këtë kontekst, Presidenti Mikalef i shprehu kryeministrit, mbështetjen e plotë dhe vendosmërinë e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të ndihmojë qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për forcimin e decentralizimit dhe përmbushjes së kritereve të Kartës së Qeverisjes Lokale dhe Rajonale të KE-së.
Gjithashtu, Mikalef i shprehu kreut të qeverisë Berisha, mbështetjen e plotë për Shqipërinë në procesin e saj integrues, si dhe vendosmërinë e Kongresit për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare edhe gjatë mandatit në vijim, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me misionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.
Më tej në takim, u diskutua edhe situata pas zgjedhore.
Berisha i bëri me dije Presidentit Mikalef për masat e marra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e arritura, të cilat bënë të mundur që për herë të parë Shqipëria të vlerësohet nga watchdog-u OSBE/ODIHR si vendi që plotësoi standardet kryesore te saj për zgjedhjet.
Lidhur me këtë çështje, Presidenti Mikalef, duke ndarë të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha për të gjitha zhvillimet pozitive në Shqipëri, theksoi se “e shikojmë me shqetësim dhe skepticizëm një përpjekje nga ana e opozitës për të krijuar mosbesim në klimën politike, e cila nuk i përputhet dhe as i shërben realitetit që ekziston sot në Shqipëri, për sa i përket standardeve evropiane”.
Në vijim, kryeministri Berisha e falënderoi Mikalef për mbështetjen që po i tregon qeverisë shqiptare në përpjekjet e saj për forcimin e autonomisë së qeverisjes vendore dhe i kërkoi mbështetjen që edhe qeverisja vendore, së bashku me forcimin e autonomisë dhe thellimin e decentralizimit, të forcojë standardet për sa i përket shërbimit ndaj qytetarit, administrimit me efikasitet të fondeve publike, ruajtjes së normave evropiane te madhësisë së administratës në përqindje me popullsinë e njësive administrative, si dhe mbështetjen e politikave të mbledhjes së taksave lokale në përputhje me ligjin dhe shërbimit ndaj qytetarit.