Shqipëria dhe Ballkani do të integrohen së bashku në BE brenda vitit 2014
Kryeministri grek Jorgos Papandreu zbulon planin e hartuar në bashkëpunim me SHBA-të
Kryeministri grek Jorgos Papandreu deklaron se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor do të anëtarësohen në Unionin Evropian, brenda vitit 2014.
Këtë deklaratë Papandreu e bëri gjatë samitit të Brukselit, ku mbrojti projektin e quajtur “Hartë Rruge”, e cila do të shërbejë si një udhëzues i plotë, për hapjen e dyerve, për vendet e Ballkanit.
“Kishim rastin të paraqesim një iniciativë të re, një vizion të ri për integrimin europian të rajonit. Duke marrë një objektiv simbolik, por edhe të guximshëm, për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2014, domethënë 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore në Sarajevë”, tha Papandreu.
Uashingtoni dhe Athina zyrtare, kanë gati një projekt-plan të detajuar, për integrimin e Shqipërisë dhe të Ballkanit perëndimor në BE. Plani i quajtur “Hartë Rruge” i është propozuar SHBA-ve nga vendi fqinj Greqia, ku thuhet se integrimi i rajonit, mbetet jetike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Me fjalimin e tij mbajtur në samit, në Bruksel, Papandreu ka zyrtarizuar këtë kërkesë. Në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të, Greqia, planifikon, që t’i japë hapësirën e duhur qeverisë shqiptare dhe vendeve të tjera të rajonit, në përgatitjet për integrimin e shpejtë në BE.
Plani i Uashingtonit doli në dritë nga deklarata e kryeministrit Jorgos Papandreu, i cili gjatë vizitës së tij në Turqi propozoi në mënyrë të qartë që të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të hyjnë në BE në 100-vjetorin e fillimit të luftës së parë botërore, një deklaratë kjo, që u diskutua në të gjitha takimet Papandreut.
E njëjta deklaratë u përsërit edhe në takimin mes ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministrit grek Papandreu.
“Kjo duhet bërë pa ulur standardet që duhen plotësuar, por duke reduktuar burokracitë, me qëllimin përfundimtar përfshirjen e Ballkanit në BE, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore”, ka deklaruar kryeministri grek.
Duke e konsideruar jetike integrimin e Ballkanit perëndimore në strukturat evropiane, Departamenti i shtetit e sheh këtë si zgjidhjen më të mirë për gjithë problemet rajonale. Plan-projekti i SHBA-ve në bashkëpunim me atë të Greqisë, parashikon që të bëjë të mundur mbylljen e kapitullit të integrimit, për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, pasi ato të kenë plotësuar kushtet paraprake.
Nga ana tjetër kryeministri Papandreu, gjatë fjalës së tij në Bruksel, ka përsëritur kërkesën për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë.
Duke folur për takimin e shkurtër me homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski, Papandreu tha se ishte një rast për t’i theksuar drejtpërdrejt vijën e kuqe të Greqisë, që shprehet në qëndrimin e njohur për një emër me përcaktim gjeografik që të përdoret kundrejt të gjithëve.
Pala greke, edhe pas samitit në Bruksel e përjashtoi mundësinë e negociatave të drejtpërdrejta në çështjen e emrit, dhe theksoi se ato do të vazhdojnë nën kujdestarinë e OKB-së.