E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji synon të intensifikojë luftën kundër pasurive të vendosura nga veprimtaria kriminale


Komisioni i Ligjeve shqyrton projektligjin “Antimafia”     

Komisioni ligjeve miratoi si një ligj te ri ndryshimet e sjella nga qeveria ne ligjin e vitit 2004, për masat që parandalojnë krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafiqet. Të gjitha ata zyrtare apo edhe persona të thjeshtë që nuk justifikojnë dot standardin e lartë të jetesës mund të bëhen shënjestër të prokurorisë. Edhe nëse “nuk i mbushin dot mendjen” prokurorëve se shpenzimet e mëdha vijnë si pasojë e fitimeve nga prona apo trashëgimi, atëherë prokuroria mund t’i kërkojë gjykatës sekuestrimin e të gjitha pasurive. Objekt i projekt ligjit kundër krimit të organizuar që po shqyrtohet në komisionin e ligjeve është pikërisht ky.
“Ata persona që merren me krimin e organizuar pra, dyshohen se kryejnë veprimtari me krimin e organizuar, me terrorizmin, persona që kryejnë veprimtari që kanë të bëjnë me trafiqet, si dhe personat që kryejnë veprimtari korruptive, pra, zyrtarët qendrore apo të pushtetit lokal”, u shpreh Eduard Halimi, deputet i Partisë Demokratike.
Nëse merret një vendim i tillë, kjo nuk do të thotë që personi përkatës duhet ndjekur më parë penalisht, por mbi këtë person ligji ngarkon detyrimin e sigurimit të provës së pasuria e tij nuk është vënë nga veprimtari kriminale. 
“Kjo nuk parashikon procedim penal, por marrjen e pronës për të vërtetuar nëse ajo ka ose jo prejardhje të ligjshme. Nëse nuk rezulton kështu, ajo sekuestrohet”, ka deklaruar deputeti i PD, Viktor Gumi.  Ligji, i cili u miratua si një draft i ri për shkak se vetëm 5 nene mbeten të pandryshuara, ishte pasoje e një vendimi të Gjykatës së Lartë, e cila para dy vjetësh, sipas deputeteve të mazhorancës, keqinterpretoi ligjin aktual, duke vendosur që sekuestrimi apo konfiskimi i pasurive të vëna nga krimi i organizuar mund të ndodhe vetëm për një person të akuzuar apo dënuar për vepër penale. Ky vendim, sipas qeverisë dhe deputetëve, anulonte dhe fakto veprimin e ligjit ekzistues.
“Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë mund të konsiderohet një shans i humbur sepse ka konfonduar proceset dhe procedurat. Ne nuk duhet të rreshtim së kërkuari profesionalizmin”, ka shtuar deputeti Gumi.
Nevoja e ndryshimeve në ligjin “Antimafia” erdhi pasi në fillim të këtij viti prokuroria dha alarmin për pengesat e krijuara në luftën kundër pasurive të vendosura nga veprimtaria kriminale. Tashmë nuk do të jetë më detyrë e organit të akuzës të provojë lidhjen e prona me vlera të konsiderueshme me veprimtarinë kriminale, por e të dyshuarit të vërtetojë që nuk është kështu. Të gjitha fondet që do të grumbullohen nga shitja apo dhënia me qira e pronave dhe pasurive kriminale, do të përdoren në interes të rehabilitimit dhe kompensimit të viktimave të trafikimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›