Shqipëria, vend model për harmoninë fetare, e sigurt drejt integrimit

Kryetarja e Kuvendit Topalli takon Patriarkun e Aleksandrisë, Theodhori II
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli zhvilloi dje një takim me personalitetin e lartë të Kishës Ortodokse, Patriarkun e Aleksandrisë, Theodhori II. Vizita e Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhori II, është cilësuar si historike pasi shënon vizitën e parë të këtij niveli në Shqipëri. Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë Patriarku i Aleksandrisë bëri përgëzimet e tij për progresin e arritur nga Shqipëria. “Ju përgëzoj për hapat e mëdha që Shqipëria ka bërë, dhe gjithashtu jam i lumtur që takohem me ju, pasi personaliteti juaj është tepër i njohur për veprimtarinë aktive në këto vite” tha Primati i Kishës aleksandriane.
Kryetarja e Kuvendit pasi u shpreh se ndihet e nderuar që pret në këtë vizitë të parë një personalitet kaq të lartë të Kishës Ortodokse, u ndal në marrëdhëniet mes besimeve fetare në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit theksoi se: “Harmonia dhe toleranca mes feve në vendin tonë është një thesar i rrallë, që e ka shndërruar Shqipërinë në një vend model për të tjerët. Kjo harmoni është një aset i yni, tha ajo, dhe ne ndihemi krenarë për këtë vlerë të çmuar”.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi kontributin e Kishës ortodokse në Shqipëri dhe rolin e veçantë të Kryepeshkopit Anastas, jo vetëm për punën e tij në përçimin e vlerave humane, por edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me përfaqësuesit e besimeve të tjera fetare. Duke u ndalur në misionin e Patriarkut të Aleksandrisë në Afrikë, Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi si një sfidë të jashtëzakonshme dhe e cilësoi historik kontributin e tij personal, por edhe të përfaqësuesve të Kishës ortodokse për ndihmën, mbështetjen dhe gjithë dashurinë që ata falin për popullin e Afrikës, vend i cili siç u shpreh edhe Patriarku i Aleksandrisë, po gjen rrugën e vet të zhvillimit.
Edhe zv/kryeministri Meta takon Patriarkun e Aleksandrisë/Në Shqipëri mbizotëron fryma dhe toleranca fetare dhe për këtë qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion të besimeve të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e saj, në mbrojtjen dhe forcimin e vlerave të tyre dhe të shoqërisë shqiptare. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë takimit të zhvilloi dje me Fortlumturinë e Tij, Papën dhe Patriarkun e Aleksandrisë dhe të Gjithë Afrikës, Theodhorin II. Gjatë bisedimit, Meta shprehu kënaqësinë për vizitën e Patriarkut të Aleksandrisë në Shqipëri dhe vlerësoi frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në vend, si dhe rolin e rëndësishëm që ka luajtur Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Patriarku i Aleksandrisë Thoedhori II shprehu kënaqësinë dhe entuziazmin e tij për këtë vizitë të parë në Shqipëri dhe e përgëzoi z. Meta për rrugën e përparimit në të cilën ka hyrë Shqipëria.
Patriarku Theodhori II, bëri një ftesë Meta duke shprehu dëshirën e tij për ta parë së shpejti në Egjipt. Ministri Meta rikonfirmoi vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i ndihmuar besimet fetare në vend duke theksuar rolin e tyre rëndësishëm në forcimin e atyre vlerave për të cilat ka nevojë shoqëria shqiptare.