Partia Socialiste i është drejtuar në 1999-n, me kërkesë të posaçme Ministrisë së Brendshme, që të lirojë njerëzit e Aldo Bares

Njerëzit e Arta Dades në Lushnje i kanë thënë ministrit të Brendshëm se Aldo Bare dhe të tjerët ishin njerëzit që kishin mbështetur gjithë drejtuesit e PS-së, nga kryetari e deri tek anëtarët e Këshillit Drejtues. Sot Edi Rama mburret me Lushnjen, sepse trashëgon aty strukturat e korrierëve të Dondollakut, të cilat mbajnë ende Arta Daden si përfaqësuesen e tyre kryesore në Tiranë
Thirrjet e dëshpëruara së fundmi nga Lushnja të Edi Ramës për nxitje anarshizmi dhe revolta nën pretekstin e numërimit të votave, të ripërsëritura nga ky qytet, nuk tingëllojnë edhe aq rastësore. Nga ky qytet, i njohur për bandën e Aldo Bares, Edi Rama, me thirrjet e tij, tentoi të evokojë “kohën” e mikut të Arta Dades.
Edi Rama, i cili kur do, e përjashton veten nga lidhjet me PS-në para vitit 2005 dhe kur nuk do, nuk e fsheh këtë lidhje, nga Lushnja ka zgjedhur të identifikohet me PS-në, pa kufizime kohore, biles edhe me atë PS-në e para vitit 2005. Dhe kjo lidhje në Lushnjë, ka si nyje dhe konfirmim të saj Aldo Baren.
I ndodhur përkrah Arta Dades, në vendin e Aldo Bares, thirrja e Edi Ramës për anarshizëm dhe revolta, nuk është asgjë më shumë se një dëshirë e pamundur për vazhdimësinë e rrugës së nisur prej Aldo Bares, sigurisht nën mbrojtjen e Arta Dades.
Është i njohur dhe i bërë disa herë publik, fakti që Arat dade, ditën e 11 tetorit 1999, ndërsa PS-ja zhvillonte Kongresin e saj, policia pretendonte se shkatërroi bandën e Aldo Bares. Realisht, atë ditë u bënë disa arrestime në Lushnjë, por edhe në Tiranë. Jo vetëm kaq, por një person u arrestua edhe në sallën e Kongresit të PS-së, ku ai ishte si delegat i Lushnjës.
Megjithë arrestimet e pretenduara nga policia, çuditërisht, vetëm njëri nuk mundi të binte në pranga. Dhe as më shumë e as më pak, ky ishte edhe personi që Banda e Lushnjes kishte marrë pagëzimin. Ky person nuk ishte as më shumë dhe as më pak se Aldo Bare.
Fakti që është përsëritur mëse një herë publikisht, ka të bëjë me atë, se atë ditë, Aldo Bare, megjithëse nuk ishte delegat në Kongresin e PS-së, ndodhej në Tiranë. Dhe falë ndihmës “bujare” dhe të “paçmuar” të deputetes së Lushnjës, Arta Dade, i njohuri midis shumë bëmave të tjera, edhe si “pronari” pa letra i Lagunës së Karavastasë në Lushnjë, mundi të çajë rrethimin e policisë, e të largohej nga Tirana.
Këtë lidhje të Aldo Bares me deputetë e udhëheqës të lartë të PS-së, vetë drejtues vendorë dhe në qendër të kësaj partie, nuk e kanë mohuar, përkundrazi e kanë pohuar.
Jo më larg se rreth një javë pas 11 tetorit 1999, ditës së Kongresit të PS-së, ish-Ministri i Rendit Publik, Spartak Poçi, i drejtohej jo pa shqetësim ish-Kryeministrit Pandeli Majko, për pakënaqësitë që kishin ngjallur edhe në radhët e drejtuesve lokalë të PS-së së Lushnjës, arrestimet e një dite më parë.
“Nga policia janë arrestuar të gjithë njerëzit që kanë shoqëruar tërë udhëheqjen që kemi sot, nga Presidenti tek Këshilli Drejtues”, i drejtohej Spartak Poçi eprorit të tij Pandeli Majko, me një shkresë të datës 19 tetor 1999, me Nr. 3292 Prot., duke i përcjellë shqetësimin e kreut të PS-së së Lushnjës Kujtim Rusho dhe deputetit të zonës, në atë kohë, Dalip Pero, shqetësim që ata ia kishin shprehur edhe ish-shefit të Komisariatit të Policisë së Lushnjës Sinan Meta, jo më larg se vetëm një ditë pas kongresit të PS-së, për pasojë dhe vetëm një ditë pas arrestimeve të pretenduara të anëtarëve të bandës së Lushnjës.
Në ruajtje të gjithë këtij investimi, Edi Rama, vetëm disa ditë më parë nga Lushnja, i gjendur në mes të Arta Dades dhe Gramoz Ruçit, i zhytur në dëshpërim, ulërinte për anarshi dhe revolta, me shpresën dhe besimin e gënjeshtërt se “mbrojtësi” i socialistëve të Lushnjes do të ishte diku aty te Laguna e Karavastasë, apo në makinën e deputetes Arta Dade dhe jo në një burg të Turqisë...
A ka koment Arta Dade për këtë rreshtim të hapur në mbështetje të bandës që terrorizoi për vite me radhë Lushnjen, Tiranën dhe të gjithë Shqipërinë? Po Edi Rama a ka ndërmend të distancohet nga këto celula partiako-kriminale apo nuk e lë deputetja Dade, bile as deputeti Braçe, të cilin Partia Demokratike, në dhjetëra deklarata e ka cilësuar si korrierin e Dondollakut, njeriun më të besuar të Aldo Bares. Kauza e sqarimit të lidhjeve kriminale të Partisë Socialiste është një kauzë shumë më e madhe sesa dyshimet e zërat nga lart që Edvinit i vijnë që nga Peza për kutitë e Lushnjës, Beratit apo Tiranës. Ky është prioriteti, dhe jo përpjekja për të sajdisur një politikan të shqetësuar se po i rrëshqet pushteti i fituar me fallsifikime çertifikatash.