E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, Godo: Këshillat për qeverinë

Zgjidhja e çështjes së pronës nuk duhet konceptuar si monopol i asnjë aktori politik. Në këtë konkluzion del Presidenti i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo. Në një intervistë për gazetën "Shqip", ai vlerëson se e djathta, të paktën për deri në zgjedhje, duhet të ecë me forcë përpara në ato drejtime që është zotuar. Teksa përmend rishikimin e abuzimeve që janë bërë me Ligjin 7501, rishikimin e abuzimeve me ish-tokat bujqësore. Godo nuk kursen tonet e ashpra edhe në drejtim të vendosjes në eficensë të plotë të institucioneve të kompensimit dhe kthimit të pronave. "Qeveria së paku duhet të bëjë këto në rast se kërkon që të djathtët të votojnë për të", insistoi Godo. Ai këmbënguli se kjo zgjidhje nuk mund të kërkohet më brenda kabineteve qeveritare, por me një konsultim të gjerë dhe serioz të të gjitha palëve të interesuara. Një nismë të tillë në vlerësimin e Godos duhet ta ndërmarrë qeveria, e cila deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë të plotë për t‘i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje.

Zoti Godo, dje ambasadori i KE-së, Lehmut Lohan, lëshoi alarmin e radhës për moszgjidhjen e çështjes së pronës. Si e konsideroni këtë qëndrim?

Së pari e përshëndes me gjithë zemër deklaratën e ambasadorit Lohan. Ai ngre një çështje që ka rëndësi jetësore për shtetin e për qytetarët dhe të cilën ne e sjellim nëpër duar pa marrë guximin të përballemi me të ashtu siç duhet. Është thënë dhe është përsëritur me këmbëngulje, se pa u kthyer prona tek i zoti nuk mund të zërë vend toka në Shqipëri, që do të thotë se nuk mund të zërë vend shteti e të sundojë ligji. Unë nuk shoh deri tani asnjë iniciativë parlamentare dhe asnjë iniciativë të plotë të qeverisë për t‘i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje. Nuk më duket se forcat politike janë të ndërgjegjshme për rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij problemi. Për sa i takon të majtës, Rama së paku e ka deklaruar sheshit se nuk i interesojnë pronarët. Por, mazhoranca në pushtet, që pretendon të jetë e djathtë, duhet të rishikojë qëndrimin e vet.

Çfarë mendoni se mund të bëjë shumica në kaq kohë sa ka ngelur deri në zgjedhje?

Mua, lidhur me këtë çështje, nuk më intereson se kush do të jetë në pushtet. Dua të di se kush merr përsipër ta zgjidhë këtë problem. E djathta të paktën për deri në zgjedhje duhet të ecë me forcë përpara të paktën në ato drejtime për të cilat është zotuar. Fjala vjen, rishikimi i abuzimeve të rënda që janë bërë me Ligjin 7501, rishikimi i abuzimeve për ligjin për tokat e ish-fermave bujqësore dhe të vendosë në eficensë të plotë institucionet që merren me kthimin dhe kompensimin e pronave, të cilat shkelin vazhdimisht afatet e përcaktuara me ligj për zgjidhjen e problemit të pronës që është në diskutim. Së paku, e djathta të bëjë këto që thashë, në rast se kërkon që të djathtët të votojnë për të. Termi "të djathtët" për këtë problem është i tejkaluar, sepse për zgjidhjen e problemit të pronave janë të interesuar të gjithë shqiptarët, të majtë, apo të djathtë qofshin.

Ambasadori Lohan deklaroi gjithashtu se kjo çështje mund ta pengojë integrimin në strukturat euroatlantike...

Evropa e ka bërë tërësisht të qartë se, një nga kushtet kryesore për integrimin është zgjidhja e problemit të koklavitur të pronave. Ne këtë e kemi dëgjuar vetëm me njërën anë të veshit, ose e kemi kaluar në heshtje, por duhej ta kishim ditur me kohë se kjo ditë do të vinte meqë jemi paralajmëruar prej kohësh. Do të vijë dita që të ndeshemi ballazi me këtë problem, pasi Evropa nuk mund të pranojë në komunitetin e saj të madh një shtet që mban ligje të tjera, nga ato që janë në fuqi në komunitetin evropian. Në këtë komunitet zotërojnë me fuqi të plotë ligjet mbi pronën private, kurse ne duam të shkojmë në Evropë, duke mbartur me vete ligje të tipit Leninist për pronësinë mbi tokën. Doemos që Evropa do të thotë, më përpara rregulloni gjërat në shtëpinë tuaj, bëni ato ligje që janë parime të patundshme për Evropën dhe vetëm atëherë mund të jeni të mirëpritur. Së shpejti ne do të trokasim në dyert e Evropës për kandidaturën tonë. Këtu jemi dhe kemi për të parë se çdo të na thotë Evropa. E përsëris edhe një herë, se ajo e ka vënë si një ndër kushtet kryesore zgjidhjen e problemit të pronave.

Para dy ditësh, zëvendësministri i Ekonomisë në një tryezë tha se kjo çështje nuk zgjidhet dot as për tre vitet e ardhshme. A është në një farë kuptimi një dorëzim i qeverisë?

Mua më duket se ky zëvendësministër është sjellë ndershmërisht dhe ka thënë një të vërtetë. Ajo që kërkohet nuk është t‘i vëmë vetes një afat se deri kur do ta zgjidhim, ajo që kërkohet është që të punojmë me seriozitet për zgjidhjen e saj. Kjo zgjidhje nuk mund të kërkohet më brenda kabineteve, por me një konsultim të gjerë dhe serioz të të gjitha palëve të interesuara. Iniciativën për këtë duhet ta ndërmarrë qeveria. Nuk them se duhet nisur çdo gjë nga e para, por duhen rishikuar punët gjysmake që kemi bërë deri tani dhe t‘i shtrojmë vetes pyetjen se çfarë duhet të bëjmë më tej. Askush nuk vendos dot monopol për trajtimin e kësaj çështjeje. Mbi të gjitha dhe së pari na duhet një studim që të na tregojë se në çfarë situate jemi, pasi është shumë e paqartë.

Plani me 12 pika i ish-pronarëve

1. Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës në përputhje me kërkesat e KE-së dhe me detyrimet kushtetuese, duke respektuar titujt e pronësisë të pranohen me ligj si detyrim i shtetit

2. Ky proces të ndahet në dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi

3. Qeveria, me instrumentet e saj, duhet të ndajë dhe dallojë se cilat janë pronat ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë dhe cilat janë prona që shteti i diktaturës ju grabiti pronarëve të ligjshëm

4. Në pronat që duhen kompensuar, qeveria duhet të përcaktojë vetëm ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991, ose edhe sot vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit

5. Qeverisë t‘i përcaktohet një afat kohor për kthimin fizik sipas dokumenteve para vitit 1945. Kthimi t‘i bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm kthim i plotë dhe jo të pjesshëm vetëm trashëgimtarit që jeton në fshat

6. Të shpallen të pavlefshme të gjitha aktet me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit ‘91 e kanë transferuar pronën e subjekteve të shpronësuar në persona të tretë

7. Pronarëve të ligjshëm t‘u kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara nga pushtetarët sipas interesave klanore

8. Zhdëmtim, ose sipas rastit vlerësim dhe detyrim financiar, personave të tretë, që këto vite i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të ligjshëm

9. Pas përfundimit të kthimit, të fillojë faza e kompensimit

10. Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që përbëjnë mbi 52% të pronës

11. Hartat e tokave të lira dhe hartat e çmimeve, fondi për kompensim etj., janë të nevojshme vetëm për fazën e kompensimit dhe mund të bëhen vetëm pas përfundimit të kthimit

12. Kompensimi të parashikohet vetëm për pronat që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi

Lohan

"Integrimi varet nga

zgjidhja e këtij problemi"

Mesazhi i kreut të delegacionit të KE-së, Helmut Lohan, koincidoi para dy ditësh me problemet e shfaqura gjatë zbatimit të projektit të Bankës Botërore për zhvillimin e bregdetit të Jugut. Lohan deklaroi në një aktivitet publik, se shumë familje shqiptare janë përballur me problemin e pronësisë, ku kanë përfunduar edhe në raste dhune. "Zgjidhja e këtij problemi është thelbësore për zhvillimin e vendit, thithjen e investimeve direkte dhe sigurisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE", nënvizoi ambasadori i KE-së. Apeli për zgjidhje sa më të shpejtë të "pronave" është bërë me kohë edhe nga ambasadorë të tjerë, që përfaqësojnë vende të fuqishme të Bashkimit Evropian. Ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë kanë nënvizuar faktin se problemi i së drejtës së pronësisë po pengon futjen e investimeve të huaja në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›