Kufizimi i imunitetit,dështon përpjekja e mazhorancës për ligjin

Kufizimi i imunitetit duket se tashmë është një histori e mbyllur për këtë legjislaturë. PD dhe PS nuk e kanë gjetur konsensusin për të ndërhyrë në Kushtetutë për të realizuar një nga premtimet më të bujshme elektorale të PD-së në fushatën e vitit 2005. Pavarësisht se pak muaj me parë u ngrit një grup i kryesuar nga Ilir Rusmali dhe Ylli Bufi për të hartuar projektin e ndryshimit të Kushtetutës , tashmë kur na ndajnë vetëm pak muaj nga shpërndarja e parlamentit shpresat për një konsensus janë të pakta. Megjithatë për demokratët kufizimi i imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve mbetet një prioritet i axhendës parlamentare.Kufizimi i imunitetit është një nisëm e cila është endur në të gjitha sesionet e kësaj legjislature , por që nuk ka gjetur konsensusin e dy të mëdhenjve të politikës. Me së pari ka qenë PD-ja e cila propozoi një projekt për të realizuar kufizimin. Përkundër kësaj socialistët këmbëngulën se ky hap kërkonte amendim të Kushtetutës. Për të zgjidhur ngërçin e krijuar parlamenti iu drejtua Komisionit të Venecias , i cili rekomandoi një ligj të miratuar me konensusin e maxhorancës dhe opozitës. Pavarësisht të gjithë këtyre hapave maxhoranca e djathtë po e përfundon mandatin qeverisës pa e realizuar premtimin e saj për deputetë pa imunite.