E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraplegjikët në grevë urie: Të na plotësojnë kërkesat



Të shtrirë në krevatet e vendosura në selinë e shoqatës së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve në Laprakë, 20 invalidë kanë vendosur dje të hyjnë në grevë urie. Ata kërkojnë rritjen e përfitimit ekonomik përmes paketës higjenike, 80 litra karburant dhe pagë minimale për shoqëruesit e tyre. Sipas kryetares së shoqatës, znj. Mybere Prizreni, kërkesat janë jo çështje luksi, por çështje mbijetese, pasi elementet në fjalë janë jetike për invalidët. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta nuk reagoi dje ndaj protestës, por burime nga kjo ministri bënë të ditur se sot do të ketë një reagim, përmes një deklarate për mediat.

Greva

Të 20 personat e futur në grevën e urisë kanë deklaruar se do të dalin nga mjediset e shoqatës në Laprakë vetëm kur kërkesat e tyre të jenë plotësuar ose kur të detyrohen të dalin me barela. Ata deklaruan se nuk do të bëjnë pas këtë herë, pasi kanë ndjekur të gjithë hapat e nevojashëm, me paralajmërime, protesta paqësore, tubime përpara Kryeministrisë dhe ultimatumin e vendosur përpara pak ditësh.

“Ne futemi në grevë jo për luks, por që jeta jonë të bëhet më e mirë. Kemi shumë probleme, por duam zgjidhjen e atyre më emergjente. Rritja e paketës higjeno- sanitare, nga 12 mijë lejë në muaj në 30 mijë lekë, pasi nevojat fiziologjike para dhe tetraplegjikët i kryejnë pa vetëdije. Të marrim 80 litra karburant siç kemi marrë gjithnjë. T’i njihet siguracioni shoqëruesit që na shërben dhe për sa kohë që na shërben të paguhet në bazë të pagës minimale”, – deklaroi kryetarja e shoqatës së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, znj. Mybere Prizreni.

Kërkesat

Kërkesat e invalidëve janë të qarta dhe për plotësimin e tyre ata kanë zhvilluar një seri protestash kryesisht përpara Kryeministrisë. Paraplegjikët dhe tetraplegjikët kërkojnë rritjen ekonomike të tri shërbimeve që përfitojnë. Pikësëpari, ata kanë kërkuar rritjen e paketës higjenike, që shërben për pastrimin e paraplegjikëve që janë të pavetëdijshëm në kryerjen e nevojave personale. Aktualisht, ky shërbim është 12 mijë lekë të reja, por e pamjaftueshme për koston e plotë të paketës. Në këtë mënyrë, paraplegjikët dhe tetraplegjikët kërkojnë më se dyfishimin e shërbimit duke e çuar në 30 mijë lekë të reja.

Kërkesa e dytë ka të bëjë me transportin e tyre. Duke qenë se ata nuk janë të aftë për punë si të gjithë personat e tjerë, qeveria kishte përcaktuar një sasi tollonash karburanti që shërbente për mjetet e tyre. Por, përpara pak kohësh ky shërbim u hoq, duke detyruar invalidët të dalin në protesta. Ata kërkojnë dhënien e 80 litrave karburant në muaj, në mënyrë që të mos ndihen të diskriminuar në këtë aspekt të jetës.

Kërkesa e tretë ka të bëjë me shoqëruesit e invalidëve. Sipas ligjit shqiptar, shoqëruesit njihen dhe paguhen me të njëjtën shumë sa pagesa e invaliditetit, që është rreth 8 mijë lekë të reja në muaj për person. Shoqata e tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve kërkon që pagesa për personat që u shërbejnë të njësohet me pagën minimale, duke qenë se ata që shërbejnë janë në gjendje pune, porse nuk mund të punojnë për shkak të shërbimit që u kryejnë personave në nevojë. Në këtë mënyrë, shoqata ka kërkuar edhe pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, si të ishin të punësuar prej tij.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›