E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsumi i alkoolit shton kancerin te gratë



Studimi

Studimi i kryer nga shkencëtarët e Universitetit Oksford zbulon se gratë të cilat konsumojnë një pije alkoolike në ditë ballafaqohen me rrezik më të madh për të zhvilluar lloje të caktuara të kancerit. Sipas studiuesve, rreziku rritet për çdo pije shtesë që konsumohet. Në studim u përfshinë më shumë se një milion gra të moshës mesatare që jetojnë në Britaninë e Madhe dhe të cilat mesatarisht konsumojnë një pije alkoolike në ditë. Studiuesit mësuan se gjatë një periudhe shtatëvjeçare, gati 69,000 nga këto gra u diagnostikuan me kancer. Doktoresha Jodi Moffat nga Instituti Britanik për Hulumtimin e Kancerit që e organizoi këtë studim, thotë se lloji i alkoolit të konsumuar nuk ka qenë faktori kryesor. “Një pjesë interesante e këtij studimi është se shkencëtarët po synonin të gjenin nëse rreziku ishte i ndryshëm për lloje të ndryshme të alkoolit të konsumuar. Për shembull, nëse pija ishte verë apo përzierje e llojeve të ndryshme të alkoolit, duke përfshirë edhe birrën. Ata erdhën në përfundimin se ajo që është e rëndësishme, është sasia e alkoolit të konsumuar e jo lloji i alkoolit të konsumuar”. Studiuesit thonë se gati 13 për qind e kancereve të gjirit, mëlçisë, të zorrës së trashë dhe të grykës, mund të jenë shkaktuar nga përdorimi i alkoolit. Statistikat e përforcojnë këtë gjë. Në një grup prej 1,000 grash, të cilat mesatarisht konsumojnë nga një pije në ditë, 15 prej tyre mund të preken nga kanceri deri në moshën 75 vjeçe. Dy pije në ditë do ta dyfishonin këtë rrezik. Tri pije në ditë do të rrisnin rrezikun në 45 raste të tjera të kancerit, që në kushte normale nuk do të paraqiteshin. Sipas studiuesve, shumica e rasteve të kanceri do të mund të ishin në gji. Doktor Robert Breuer nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se rezultatet nga këto studime përputhen me rezultatet e studimeve të tjera, të cilat kanë treguar se kur është fjala për kancerin, nuk ekziston një sasi e caktuar, e padëmshme e alkoolit që mund të konsumohet. “Si këshillë e përgjithshme, konsumimi më i vogël i alkoolit, pa dyshim që është më i mirë se përdorimi më i madh. Por, edhe konsumimi në sasi të vogla, të cilat rekomandohen në dieta, përmban rrezik. Studimi i Universitetit të Oksfordit zbuloi se kur alkooli është në trup, ai shndërrohet në një kimikat që mund të shkaktojë kancerin, duke dëmtuar ADN-në. Po ashtu, studimi thotë se njerëzit të cilët konsumojnë alkool dhe duhan njëkohësisht, janë më të rrezikuar, pasi alkooli mundëson që indet në gojë të thithin kimikatet nga duhani, që shkaktojnë kancerin. Përfundimet e këtij studimi do të publikohen në revistën e Institutit Kombëtar të Kancerit më 4 mars.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›