E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Tiranës,PS dhe LSI kundër prefektit Keçi të PD

 

zirina llambro

PS dhe LSI rikonfirmojnë vlefshmërinë e vendimit të datës 3 shkurt për buxhetin e Tiranës.Ata e kanë cilësuar atë në përputhje me ligjin. Në sallë munguan anëtarët e PD-së, të cilët u larguan nga mbledhja e Këshillit Bashkiak menjëherë pas votimit të rendit të ditës dhe përjashtimit të buxhetit si pjesë e saj. Sipas PS dhe LSI ai ligjërisht është i miratuar. Përpos kësaj, në mbledhjen e djeshme të 28 anëtarët e pranishëm në sallë ranë unanim dakord se prefekti i Tiranës në pretendimet e tij ka tejkaluar kompetencat. Në këtë vijë janë pranuar si të qenësishme argumentet e nënkryetarit të këshillit Petraq Simo, i cili me anë të një shkrese zyrtare, pas delegimit të kompetencave nga kryetari Sokol Dervishaj i është përgjigjur prefektit. Në të theksohet se pretendimet e tij janë të paprecedentë dhe shkelin autonominë e këshillit. Keçi kishte shprehur rezerva për mënyrën e votimit në Këshillin Bashkiak, ku veç të tjerash e ka quajtur të gjithë procesin si të pambyllur. Në letrën e tij dërguar këshillit kishte parashtruar katër arsye kryesore, që çuan në mosmiratim të vendimit të marrë më 3 shkurt. Pos buxhetit, që pas shumë debatesh e pikëpyetjesh tashmë konsiderohet një çështje e mbyllur ligjërisht, dje kaluan edhe 6 projektvendime të planifikuara në rendin e ditës. Mes tyre edhe vendimi për “Caktimin e çmimeve dhe tarifave të shërbimit taksi në qytetin e Tiranës” dhe ai “Për riorganizimin e strukturës organizative dhe nivelin e pagave të disa ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë së Tiranës”.
Braktisja e PD
Mbledhja e djeshme në Këshillin Bashkiak nisi krejtësisht normale. Ashtu siç pritej buxheti edhe pse i paplanifikuar në rendin e ditës do të ishte pika kyçe e saj. Më tej kryetari i këshillit, Sokol Dervishaj, u dha fjalën përfaqësuesve të tre forcave kryesore politike për të shprehur mendimin mbi këtë çështje në rang grupi. “Këshilltarët e LSI-së do votojnë pro miratimit të buxhetit të Bashkisë dhe do monitorojnë hapat që do të ndiqen për miratimin e buxhetit. Në të janë reflektuar kërkesat tona”, tha Erisa Xhixho, këshilltare e LSI-së. I menjëhershëm qe reagimi i anëtarëve të djathtë, të cilët kërkuan që të mos hidhej në votë rendit i ditës pa u zgjidhur më parë ngërçi i buxhetit. “Duam të gjykohet plani rregullues i Tiranës, që ka ngelur pezull në KRRT, gjithashtu duam të dimë sa do të jenë shpenzimet e detajuara në buxhet. Janë 14 milionë euro të padetajuara”, u shpreh kryetari i grupit të PD Ferdinand Poni. Nga ana tjetër, Besnik Bare, këshilltar i PS-së, duke iu drejtuar këshilltarëve të PD-së, u shpreh se pengimi i buxhetit bëhet për të sjellë konfuzion para zgjedhjeve. Ai e cilësoi të miratuar këtë buxhet për aq kohë sa nuk është pjesë e rendit të ditës. “Kërkoni të bëheni pengesë për gjithë atë që Bashkia e Tiranës i ofron kryeqytetit”, tha Bare. Pak minuta më vonë kryetari Sokol Dervishaj kërkoi hedhjen në votë të rendit të ditës, duke rrëzuar kështu automatikisht kërkesën e PD. Pas miratimit të rendit të ditës, anëtarët e djathtë braktisën mbledhjen, duke e cilësuar si jo transparente.

“Aplikimi i taksës nga qeveria, goditje e rëndë”

Rama: Pas 28 qershorit do të jemi më afër biznesit të vogël

Goditje e rëndë për biznesin e vogël. Kështu e ka cilësuar kryebashkiaku Edi Rama tatimin mbi fitimin në masën 10% të vendosur nga qeveria. Dje ai ka bërë edhe premtimin e parë elektoral për këtë kategori, duke deklaruar se pas 28 qershorit kjo taksë e dyfishtë që rëndon biznesin do të hiqet. “Rëndesa biznesit i vjen pikërisht nga tatimi mbi fitimin, që është edhe tatim i dyfishtë përveç të tjerash. Megjithatë, unë ju siguroj ju dhe gjithë të tjerët se pas 28 qershorit ky trajtim i biznesit do të marrë fund dhe ne do të ndërtojmë një aleancë me biznesin, duke e mbështetur atë, në mënyrë që të luftojmë papunësinë dhe të luftojmë varfërinë”, u shpreh Rama. Ai u ndal në një furrë buke, në rrugën Fortuzi. Biseda me pronarin u përqendrua në pasojat negative, që ky tatim i dyfishtë do të sjellë për të gjitha subjektet tregtare, që kanë një xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë. “Ky 10 % i tatimit mbi fitimin e biznesit të vogël është aq sa, apo më shumë se 50 % e uljes së taksës së biznesit të vogël mbi xhiron që u krye në vitin 2005. Biznesi i vogël sot paguan në total, të njëjtin detyrim që paguante në vitin 2005, por me një ndryshim të vogël, që gjysmën e shtuar të këtij detyrimi duhet ta derdhë në buxhetin e shtetit dhe jo të Bashkisë”, nënvizoi kryebashkiaku. Sipas tij, Kryeministri Berisha duke pretenduar reforma përmes uljes së taksës për biznesin e vogël, në fakt e ka taksuar dyfish, duke nxjerrë të ardhura për buxhetin e shtetit kur ligji është i qartë që: “Taksat nga biznesi i vogël janë taksa lokale”. Në qytetin e Tiranës janë rreth 16 mijë biznese të cilat sipas Ramës, rezultojnë me fitim dhe 3000 të tjerë rezultojnë pa fitim ose mbyllin aktivitetin e tyre në fund të vitit. “Gjatë 3 viteve të fundit, Bashkia e Tiranës ka ulur më 30 % taksën e biznesit të vogël dhe atë të pasurisë nga niveli i përcaktuar me ligj, për të gjitha bizneset e prodhimit në Qytetin e Tiranës, me qëllim lehtësimin në kushtet e krizës energjetike që kalonte vendi”, bëri me dije zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës. Paketa fiskale e miratuar në fund të vitit 2007, zbatuar gjatë 2008-ës për herë të parë, ka shtuar tatimin mbi fitimin për biznesin e vogël. Pra, çdo biznes i vogël duhet të paguajë një tatim tjetër shtesë, që është Tatimi mbi Fitimin, në masën 10 % të fitimit dhe kjo, jo më si e ardhur lokale por nacionale. Këtë taksë të gjitha bizneset e vogla duhet ta derdhin brenda datës 31 mars për llogari të buxhetit të qeverisë.

Berisha: Rritja e taksave vendore jo më shumë se 10%
“Të gjitha tarifat dhe taksat e përkohshme, të marra së bashku, nuk do të mund të jenë më shumë se 10 për qind e nivelit të përcaktuar me ligj “për taksimin e biznesit të vogël”. Këtë orientim ka dhënë dje Kryeministri i vendit Sali Berisha pas konsultës me ministrin e Financave Ridvan Bode dhe ekspertë të tjerë të fushës. Deri tani në çdo qytet tarifat dhe taksat vendore të miratuara nga Këshilli Bashkiak kishin një tolerancë deri në 30% shtesë apo ulje të tyre krahasuar me nivelin që përmban ligji. “Tendenca e taksimit të biznesit të vogël, në një kohë kur qeveria ka pakësuar me 50 për qind barrën fiskale për këtë biznes dhe në një kohë kur, për shkak të krizës ekonomike botërore, vendet po ulin taksat, është e rrezikshme për punësimin dhe mbarëvajtjen e biznesit në vend”, tha Berisha. Ai theksoi se duhen marrë masa për kufizimin e abuzimeve, që qeveritarët vendorë po bëjnë në kurriz të biznesit të vogël me tarifat dhe taksat e përkohshme, me të cilat po rrisin barrën mbi këtë biznes që përballon gjeneratën kryesore të punësimit në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›