Drogë Lazarati në Greqi, arrestohet dhe “Drumbaja”
GJIROKASTER / PIRO NASE
Lulëzon sërish traf-iku i drogës së Lazaratit drejt Greqisë. Tre persona u arrestuan në dy aksione të zhvilluara në rrugët e Gjirokastrës, gjatë transportit të 100 kg marijuanë. Operacioni i zhvilluar brenda 12 orësh ishte koduar “Rrëshqitja”, i cili prangosi dy persona si bashkëpunëtorë në trafikun e 50 kg drogë e më pas dhe një shofer fierak, në maunen e të cilit ndodheshin 50 të tjera. Mbrëmjen e së dielës, policia ngriti një postbllok në aksin nacional Gjirokastër-Kak-avijë, përbri fshatit Grapsh për të bllokuar drogën e transportuar nga Lazarati drejt Sarandës. Izet Boçka, 23 vjeç nga Delvina ishte personi i parë që u ndalua, pasi po transportonte 2 çanta me marijuanë. I dënuar më parë për vjedhje, ai kishte si detyrë të dërgonte mallin deri në një pikë, ku për të humbur gjurmët do të vazhdonte rrugën një person i dytë. Ai po ngjitej në këmbë në shpatin e malit të Muzinës për t’iu shmangur kontrollit të policisë, por në përroin mbi fshatin Grapsh u kap nga policia. Sipas policisë, pasi të dilte në Qafë-Muzinë, personi i dytë do të merrte drogën me makinë. Në këtë moment në rol hynte “Drumbaja”, nofka që policia zbuloi se i takonte Fatmir Jasharit, 38 vjeç nga Saranda, i dënuar më parë për trafik klandestinësh. Fillimisht, Jashari ka mohuar të ketë lidhje me drogën. Në fakt, Boçka e ka telefonuar në praninë të policëve të aksionit, të cilët e përdorën si karrem të radhës delvinjotin për të shtënë në dorë “Drumbanë”. Në çantën e Boçkës policia gjeti dhe një automatik, model 56, duke e rënduar pozitën e tij para drejtësisë. Dyshohet se veç dy personave, në këtë trafik kishte dhe të tjerë që do të pasonin drogën deri matanë kufirit. Operacioni “Rrëshqitja” vazhdoi mesditën e djeshme, kur në Kakavijë u bllokuan dhe 50 kg të tjera marihuanë. Ajo u zbulua në kabinën e maunes tip MAN me targa të Fierit. Shoferi i saj, Eduard Kane, 44 vjeç është arrestuar menjëherë, ndërkohë që ai deklaroi se nuk kishte dijeni për drogën e ndarë në 50 pako. Nga burime të policisë pohohet se ajo kishte dijeni për mbërritjen e maunes në Kakavijë, e cila ishte mbushur me gurë dekorativë për t’u shitur në Athinë, falë zbulimit me anë të infiltrimi të një agjenti të policisë. Maunia i përket një shoqërie ndërtimi me qendër në Roskovec të Fierit, ndërkohë që rrethanat se si është marrë në përdorim ky automjet nuk janë sqaruar ende. Droga është siguruar fillimisht para tre muajve në Lazarat, por në pamundësi për t’u çuar në drejtim të Italisë, ajo është rikthyer në jug të vendit për t’u dërguar drejt Greqisë, duke përdorur mjetin e madh transportues.