E Diel, 1 Nëntor 2026

I akuzuari për vrasje rrëfen autorët e “vërtetë”

 

SHKODER - Ndërsa pritej që seancën pasardhëse trupi gjykues të jepte verdiktin për Ardian Narkaj, i akuzuari për vrasje i dha dje rrjedhë tjetër ngjarjes. Në seancë, pasi pretenca i kërkoi gjykatës dënimin maksimal të tij, burg të përjetshëm, Narkaj ia adresoi një tjetër personi autorësinë e vrasjes së Tonin Uljës dhe Gjergj Shotës. Sipas tij, vrasjen e dyfishtë e kishte kryer Gjekë Narkaj, ndërsa ai natën e ngjarjes kishte qenë pengu i viktimave. Bëhet fjalë për vrasjet e ndodhura në fshatin Bratosh të rrethit të Malësisë së Madhe. Deklarata e Ardian Narkajt u kundërshtuar nga mbrojtja e Gjekë Narkajt, por ndërkohë trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën, pasi duket se hetimi do të marrë tjetër rrjedhë. Narkaj akuzohet për vrasjen e Tonin Ulajt dhe të Gjergj Shotës. Në bankën e të akuzuarve janë edhe Gjekë Narkaj dhe Ilir Therçaj, të cilët akuzohen se kanë penguar  drejtësinë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke fshehur provat e krimit. Në deklarimin e dhënë para trupit gjykues, Ardian Narkaj ka bërë një përshkrim të ngjarjes. Sipas tij, konflikti kishte nisur nga një thashethem i Gjekës ndaj tij, duke e akuzuar si spiun të policisë për dy viktimat që ishin të shpallur në kërkim. Por kur do të përballeshin me ballafaqimin bashkë edhe me viktimat, Gjekë Narkaj iu kishte zënë pritë i armatosur. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ai ka mbetur vetë i plagosur, ndërsa dy të tjerët të vrarë. Në këto kushte, avokati mbrojtës i Ardian Narkaj kërkoi sërish kohë për rivlerësimin e diskutimeve përfundimtare. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›