Rruga nacionale në rrezik
BURREL - Rruga nacionale Burrel-Peshkopi është në rrezik shembjeje. Reshjet e shumta të dëborës dhe shiut që kanë rënë javët e fundit kanë krijuar një shembje të konsiderueshme të rrugës nacionale, në vendin e quajtur Kthesa e Sanës, afro një kilometër në dalje të qytetit të Burrelit, në drejtim të urës së Matit. Prej vitesh ky segment rrugor është problematik, por ditët e fundit vihet në rrezik funksionimi i rrugës nacionale që lidh Peshkopinë me Matin dhe rrethet e tjera të vendit. Madje as mjetet që vijnë nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore të Bllatës nuk mund të lëvizin në drejtim të Tiranës nëse kjo rrugë do të bllokohet. Një masiv i madh dheu ka zbritur mbi rrugë, duke krijuar premisa për bllokimin total të saj. Banorët që kanë shtëpitë e tyre afër rrugës sqarojnë se shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje janë ujërat e zeza të qytetit që nuk disiplinohen, por derdhen pak metra mbi rrugë dhe mos hapja e kanaleve kulluese nga ndërmarrja e rrugëve nacionale. Shoferët thonë se për vite me radhë në këtë vend është investuar, por këto investime nuk kanë qenë eficiente, pasi nuk janë kryer më parë studimet gjeologjike të formacioneve nëntokësore. Ndërmarrja e rrugëve nacionale është mjaftuar me mbushjen e rrugës me inerte për të mundësuar kalimin e mjeteve përkohësisht, por kjo nuk është zgjidhje, pasi traseja e rrugës vazhdon të cedojë, duke penguar lëvizjen normale të mjeteve dhe duke krijuar premisa për një shembje masive e bllokim total të rrugës nacionale. Drejtuesit e ndërmarrjes së rrugëve mjaftohen me raportimin e gjendjes në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugës, ndërkohë Bashkia e Burrelit ka kërkuar ndërtimin e një unaze të re, duke harruar se ajo është përgjegjëse për derdhjen e ujërave të zeza në afërsi të rrugës që është shembur. h.p