“Legalizimet, siguroni pronat që të shmangen katastrofat”
Fabiola Çela
Pronat janë ndër asetet më pak të siguruara në Shqipëri. Por ndryshe nga shtëpitë e ndërtuara zyrtarisht, ku ndërtimi është certifikuar për cilësinë nga të gjitha organet shtetërore, shtëpitë e ndërtuara pa leje apo shtesat e pallateve, nuk kanë një siguri të tillë. Në kushte të tilla, çdo katastrofë, që minimalisht do të prekte pikërisht këto pallate me shtesa apo shtëpi të ndërtuara pa leje për mungesë sigurie të ndërtimit, do t’i dëmtonte dyfish këta banorë. Për këtë arsye shoqatat e kompanive të sigurimeve kanë kërkuar disa ndryshime në ligjin e legalizimeve, ku kryesorja është sigurimi i detyrueshëm për ndërtesat që legalizohen. Sipas tyre, në këto kushte është i domosdoshëm detyrimi me ligj i sigurimit të ndërtimeve, pasi përveç pronës së tyre, poseduesit e ndërtesave pa leje duhet të sigurojnë edhe të tretët. Në relacionin e propozuar janë paraqitur si raste potenciale të katastrofave ndryshimi i kateve të para të banesave apo ndërtimet pa leje në tarracat e tyre. Kompanitë e sigurimeve kërkojnë që në ligjin e legalizimeve të futet edhe një nen, i cili i detyron të gjithë të legalizuarit që përveç tarifave të tjera, para se të marrin tapitë të sigurojnë pronën e tyre dhe dëmin që mund t’i shkaktojnë të tjerëve të paktën për një periudhë 5-vjeçare.
Propozimi
Në ligjin për legalizimet parashikohet se personat që do të bëhen pronarë të rinj të “marrin përsipër përgjegjësinë për çdo pasojë, që mund të rrjedhë nga shkaqe natyrore dhe/ose nga përdorimi i banesës. Sipas këtij ligji, shteti nuk është përgjegjës për kompensimin ose dëmshpërblimin në raste fatkeqësish, si pasojë e faktorëve që ndikojnë në qëndrueshmërinë e objektit”. Këtu qëndron edhe përplasja e madhe. A mundet që një person të përballojë dëmin që mund t’i shkaktojë një pallati, apo disa banesave? Kjo pikë e ligjit duket pak absurde dhe për këtë arsye shoqatat e sigurimit propozojnë një shtesë që i detyron pronarët e rinj të sigurojnë pronën dhe të tretët. Në këtë aspekt propozohet që në listën e dokumenteve që paraqiten nga subjekti aplikues për legalizim të ndërtimit pa leje, të jetë pjesë plotësuese e detyrimeve edhe kontrata e sigurimit të përgjegjësisë publike të pronarëve të banesave në proces legalizimi, e cila do të ishte një zgjidhje adekuate për palët (subjekti, shteti dhe palët e treta të dëmtuara). “Përqendrimi shumë i madh i vlerave monetare brenda një projekti ndërtimi si edhe vetë veçoria e këtij aktiviteti dhe kryerja e tij ndonjëherë pranë zonave me dendësi shumë të madhe, bën që rreziku që vjen prej tij të jetë shumë i madh për publikun dhe për pronën rreth tij. Pra, përgjegjësia civile ka faturë shumë të madhe financiare, si për pronarët e ndërtimit pa leje, si për pronarët e objekteve që e rrethojnë ndërtimin pa leje, ashtu dhe për shtetin, i cili në fund mund të rezultojë përgjegjësi kryesor për mbarëvajtjen e procesit”. Në kushtet kur shumë nga këto objekte pa leje janë ndërtuar pa asistencën e nevojshme teknike në fushën e ndërtimit, rrezikshmëria shfaqet më e lartë dhe, si rrjedhim lind nevoja që institucionet financiare të sigurimit të marrin përsipër mbulimin e sigurimit të përgjegjësisë publike për punimet e bëra në këto objekte, duke zbutur efektet negative që mund të shkaktohen nga defektet e punimeve të ndërtimit, të cilat mund t’i shkaktojnë dëme të konsiderueshme jo vetëm pronarit, por edhe palëve të treta. Nëpërmjet këtij sigurimi të përgjegjësisë civile të banesave në proces legalizimi, do të mbulohen dëmet e shkaktuara si pasojë e kryerjes së aktivitetit të ndërtimit të objekteve të lartpërmendura me neglizhencë, pakujdesi apo mos përmbushje të detyrimeve kontraktuale nga subjekti ndërtues, individë apo person juridik tjetër, përgjegjësia profesionale për gabimet e arkitektit dhe inxhinierit, si pasojë e së cilës është verifikuar një dëm në të mira të tilla që gëzojnë mbrojtje ligjore, si jeta, shëndeti dhe pasuria. Eshtë menduar që pronari i objektit që do të legalizohet, duhet të paraqesë sigurimin e përgjegjësisë përpara se të marrë dokumentin përfundimtar të legalizimit.
Neni i ri
Pika 1, shkronja “d/i”, ndryshon si vijon: “Deklaratën personale për marrjen e përgjegjësisë për çdo pasojë, që mund të rrjedhë nga shkaqe natyrore dhe/ose nga përdorimi i banesës shoqëruar me dokumentacionin përkatës që vërteton sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta për një afat jo më pak se 5 vjet, sipas kufijve të përgjegjësisë të përcaktuara në Aneksin nr. 1 bashkëlidhur këtij vendimi. b.) Pika 2, pas shkronjës (dh), shtohet pika (e) me përmbajtjen si vijon: “Verifikojnë nëse subjekti ka paraqitur sigurimin e përgjegjësisë civile”.