E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i bashkisë "zbret" në Kuvend

Debati për buxhetin e Tiranës ka "zbritur" dje në Kuvend. Mazhoranca dhe opozita kanë replikuar ashpër me njëra-tjetrën, duke mbrojtur qëndrimet e tyre për sa i përket buxhetit të kryeqytetit. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka akuzuar kryetarin e bashkisë, Edi Rama, se ka një koncept stalinist për votën, të cilën kërkon ta blejë ose ta marrë nën presion. Patozi ka theksuar se çështja e buxhetit të Tiranës nuk është lokale, por një çështje parlamentare dhe kombëtare, pasi Tirana përfshin gati 1/3 e popullsisë së vendit. Kryetari i grupit parlamentar ka qenë mjaft i ashpër në fjalën e tij në Kuvend, duke ruajtur linjën e diskutimeve të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak. Ai ka theksuar se "nuk dua të ndalem në perversitetin e dëshmuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës gjatë votimit të buxhetit, por në konceptin stalinist që kryetari i opozitës ka për votën. Konceptin e Ramës ‘ju votoni, unë numëroj‘, në një kohë kur po kërkojmë të shkojmë drejt zgjedhjeve me standarde, duhet ta shikojmë si një kërcënim". Duke e lidhur votimin e buxhetit të kryeqytetit me zgjedhjet e përgjithshme dhe duke risjellë në vëmendje deklaratat e opozitës, Patozi ka theksuar se "partia që po kërkon perfeksion në afatet dhe mënyrën e shpërndarjes së kartave të identitetit, ka këtë koncept stalinist për votën". Numri një i grupit të PD-së ka shtuar më tej se Rama aktualisht ndodhet në dilemë nëse duhet të lërë bashkinë për të kandiduar në zgjedhjet e 28 qershorit apo jo, por, ka shtuar ai, "për Ramën nuk do të ketë më dilemë, pasi ai ka për t‘i humbur të dyja, edhe bashkinë edhe Parlamentin. Dua t‘u jap një këshillë miqësore kolegëve të opozitës, që kanë nisur të numërojnë ditët deri në zgjedhje, që të mos e bëjnë më këtë, sepse është qesharake, në një kohë kur nuk po nxjerrin dot programin se kanë frikë se po jua kopjojmë ne apo LSI", është shprehur Patozi. Deklarata e kryetarit të grupit të PD-së, Patozi, është mbështetur edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila kohët e fundit ka filluar të japë më shpesh opinionet e saj për çështje të ndryshme. Duke e vlerësuar si një turp konceptin që Rama ka për votën, Topalli tha se "nëse ai vjen në Kuvend, do të ketë mundësi të shohë se si votohet buxheti i 5-të i PD-së dhe si numërohen votat. Nuk ka më ‘unë votoj dhe numëroj‘". Deklaratat e Topallit dhe Patozit, të bëra në Kuvend, janë kundërshtuar nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Ajo ka theksuar se "nuk e kuptoj sesi mazhoranca mund të mërzitet se votohet buxheti i bashkisë. Ky buxhet nuk është buxheti i kryetarit dhe as i këshilltarëve, por është buxheti i qytetarëve të Tiranës, të cilët presin investimet dhe shërbimet nga bashkia" është shprehur Lekskaj. Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës në sallë, ajo ka theksuar se "sot prisja një tjetër gjë nga përfaqësuesit e mazhorancës. Prisja reflektim për atë fjalor dhe ato kërcënime që janë bërë nga zëvendësministri i Brendshëm, qoftë ndaj kryetarit të bashkisë apo këshilltarëve. Unë prisja që ju të kërkonit falje për sjelljen e padenjë dhe t‘i gëzoheshit këtij buxheti të qytetarëve të Tiranës. Të gjitha të tjerat nuk kanë asnjë vlerë. Të jeni të sigurt se zgjidhjen do ta japin shqiptarët në qershor dhe ju jeni të humbur". Prej disa javësh politika shqiptare është përfshirë në debate të ashpra për sa i përket votimit të buxhetit të kryeqytetit. Kjo për vetë faktin se ai u rrëzua dy herë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Ka qenë pikërisht mbledhja e tretë ajo që ka shtuar tensionin, pasi në mënyrë krejt të papritur, kur PD-ja dhe LSI-ja ishin deklaruar kundër këtij buxheti, anëtarët e LZHK-së në këshill dhe të PDI-së kanë dhënë votën e tyre pro, duke plotësuar kështu numrin e duhur të votave që i duheshin PS-së për të miratuar buxhetin. Rezultat ky që u kontestuar nga PD-ja dhe LSI-ja,por dje sekretari i Këshillit të Bashkisë konfirmoi miratimin e këtij buxheti dhe numrin e votave që ishin marrë gjatë votimit të ditës së martë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›