Prokuroria, hetime "live" në gjirin e "Gjeneralit"
Hetimet për mbivendosjet në vendin e quajtur gjiri i "Gjeneralit" në Kavajë shtrihen në terren. Grupi hetimor ka shkuar në pronat e mbivendosura dhe ka saktësuar nga afër të gjitha parregullsitë e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ka rezultuar se prona që do t‘i kthehej familjes Shijaku me dokumente të falsifikuara është zhvendosur në zonën bregdetare. Madje hetuesit kanë zbuluar se asnjë prej punonjësve të AKKP-së nuk ka shkuar në terren për të verifikuar të gjithë skandalin. Gjithsesi, hetuesit saktësojnë se kanë prova që në këtë zonë janë mbivendosur 48 hektarë pronë. Përfitues është një biznesmen. Ai është ndihmuar nga punonjës shtetërorë, madje hetuesit thanë se nën hetim është edhe ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj. Ky i fundit, sipas hetuesve, hiqte çdo tre muaj vartësit. Madje i detyronte të firmosnin dokumente dhe më pas, duke u bërë presion, i shkarkonte pa motivacion.