E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat në Jal, përfitues familjarë të politikanëve

Njerëz të veshur me pushtet kanë blerë troje në bregdetin e Jalit, mbi pronat e falsifikuara. Prokuroria e Vlorës deklaron për gazetën se pas tjetërsimit të 40 hektarëve, përfituesi ka shitur dhjetëra troje. Pronat janë blerë me të gjitha dokumentet e nevojshme për blerjen e një prone, pasi "pronari" dispononte dokumente origjinale nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Burime nga grupi hetimor deklarojnë se prona është shitur në mesin e vitit 2008 dhe skandali i tjetërsimit të pronave është zbuluar disa muaj më vonë, pas investigimeve të hetuesve të Prokurorisë së Vlorës. Nga burime konfidenciale mësohet se troje në këtë zonë kanë blerë njerëz të afërm të politikanëve në Tiranë. Ata kanë blerë troje me qëllim ngritjen e "kampeve" të pushimit. Sipas hetuesve, zona që është mbivendosur prona është një nga zonat më të bukura bregdetare në Shqipëri dhe është shumë e lakmueshme për ndërtimin e fshatrave turistikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›