E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjonaj: Sekretaria i numëroi votat

Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Vladimir Gjonaj, ka hedhur poshtë versionin e kreut të këtij këshilli, Sokol Dervishaj, lidhur me votimin e buxhetit të vitit 2009 të Tiranës. "Në pikëpamje të kuadrit ligjor, procesi i votimit u hap dhe u krye normalisht, qoftë nga ana e prezencës së domosdoshme ligjërisht, qoftë për sa i takon lexueshmërisë krejt të qartë të vullnetit të shprehur me votë. Në votim morën pjesë 53 këshilltarë dhe 29 këshilltarë votuan pro miratimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. Unë dhe sekretaria, pas numërimit, si zakonisht ia raportuam rezultatin kryetarit të këshillit për të bërë shpalljen e vendimit të marrë nga këshilli". Me këtë deklaratë të bërë dje, sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Vladimir Gjonaj, ka dalë përballë qëndrimit të anulimit të këtij votimi nga ana e kryetarit Dervishaj.

Sipas Gjonajt, fillimisht rezultati i votimit u pranua nga kryetari i këshillit. "Madje, shton ai, pasi u verifikua edhe nga ai vetë (kjo vërtetohet lehtësisht edhe nga provat filmike të mediave të pranishme në sallë), por vetëm pak më pas kryetari i këshillit shpalli çuditërisht parregullsinë e votimit, gjë që ndodh për herë të parë qëkur unë kryej këtë detyrë dhe që në fakt është plotësisht e pavlefshme, në kuptimin e rregullores së funksionimit të Këshillit Bashkiak, sepse detyrën e numërimit zyrtar të votave dhe nxjerrjes së rezultatit zyrtar e ka vetëm sekretaria e këshillit dhe askush tjetër që mund të numërojë për hesapin e tij, qoftë ky kryetari i këshillit, kryetari i bashkisë apo vetë këshilltarët, mediat ose publiku".

Sekretari Gjonaj sqaron gjithashtu se "në konformitet të plotë me ligjin dhe rregulloren e funksionimit, zyra e Këshillit Bashkiak ka përfunduar punën e saj edhe për këtë mbledhje, duke bërë zbardhjen e materialit të buxhetit, të miratuar për vitin 2009, të cilin ia ka vënë në dispozicion për firmë kryetarit të Këshillit Bashkiak". Ai konfirmon se sekretaria e këshillit ka mbajtur si të gjitha herët e tjera procesverbalin e mbledhjes së datës 3 shkurt, i cili siç e kërkon rregullorja është kontrolluar e firmosur edhe prej tij si sekretar i këshillit. Debati i miratimit ose jo të buxhetit të vitit 2009 për Tiranën vazhdon. A.Rr.

Deklarata e Tahir Muhedinit

PDI konfirmon: Vota jonë, pro buxhetit të Tiranës

Kryetari i PDI-së, Tahit Muhedini, i cili është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ka deklaruar publikisht gjatë një konference për shtyp votën e tij pro buxhetit të Tiranës. Në komunikimin me mediat, ai ka theksuar se "votova pro buxhetit për të pasur shërbime më të mira në kryeqytet: rrugë të shtruara, infrastrukturë bashkëkohore, shkolla, kopshte, çerdhe të rregulluara sipas standardeve evropiane". Vota ime, tha ai, ka qenë pro buxhetit në mënyrë që jeta ekonomike dhe sociale e bashkëqytetarëve të mi të jetë më e mirë dhe kjo bëhet vetëm duke i hapur rrugë zbatimit të buxhetit të Tiranës. Po kështu, një ditë më parë edhe këshilltarët e LZHK-së kanë konfirmuar publikisht votën e tyre pro buxhetit të Tiranës. Sipas tyre, vota pro nuk ka qenë për kryetarin e bashkisë apo këshilltarët e majtë, por për qytetarët e Tiranës, me qëllim që jeta e tyre sociale dhe ekonomike të jetë më e mirë. Paratë për 2009-ën të investohen në kryeqytet në pikat që ato janë parashikuar. Këshilltarët e LZHK-së kanë shtuar se ata nuk shqetësohen për debatet politike që bën PD-ja me PS-në apo LSI-ja me PS-në. Ata shqetësohen për qytetarët e kryeqytetit, të cilët nuk duan të dinë si janë inatet politike apo personale mes partive, por duan rrugë të shtruara, duan shkolla e kopshte të restauruara, duan plehra të mbledhura e shumë probleme të tjera të cilat zgjidhen nga miratimi i këtij buxheti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›