Rezoluta e PE: Kosova të njihet nga të gjithë anëtarët e BE
Parlamenti Evropian kërkoi dje njohjen e shtetit të Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Në rezolutën e miratuar në Strasburg, me 424 vota pro, 133 kundër dhe 24 abstenime, është theksuar se nuk ekziston asnjë mundësi për ndarjen e territorit të Kosovës, pavarësisht pretendimeve të serbëve. Rezoluta ka përshëndetur vendosjen e suksesshme të misionit EULEX në të gjithë vendin, ndërsa vendeve të Bashkimit Evropian u kërkohet të mbështesin perspektivën evropiane të Kosovës, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit. Në rezolutë i kërkohet, si Kosovës, edhe Serbisë të angazhohen në dialog për çështje me interes të përbashkët dhe të kontribuojnë për bashkëpunimin rajonal. Parlamenti Evropian i bëri thirrje Serbisë të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv, në përputhje me aspiratat e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. "Marrëveshjet kalimtare mes OKB-së dhe qeverisë së Serbisë duhet të rishqyrtohen, sipas zhvillimeve në terren, kur EULEX të arrijë aftësi të plotë vepruese", thotë rezoluta e miratuar. Por ndërsa Parlamenti Evropian ka përshëndetur shtrirjen e suksesshme të EULEX, serbët e kanë kundërshtuar këtë mision. Ata kanë bllokuar dje disa akse kryesore rrugore, në shenjë proteste ndaj vendosjes së misionit EULEX në pikat e kalimit kufitar me Serbinë. Pjesëtarë të këtij komuniteti kanë bllokuar rrugën Mitrovicë-Rashkë, që prej orës 11.00 të mëngjesit të djeshëm. U bllokua gjithashtu edhe rruga në dalje të Zveçanit dhe rruga nga Zubin-Potoku, në vendkalimin kufitar, Brnjak. Banorët serbë të veriut pretendojnë se u takon atyre kontrolli i doganave dhe paralajmërojnë veprime të tjera, për të shprehur pakënaqësinë ndaj zhvillimeve të fundit në këtë pjesë të Kosovës.